| Albanian
POLITIKË
3 minuta leximi
Milatoviq me von der Leyen: Mali i Zi gati për anëtarësim në BE në vitin 2028
Presidenti malazez theksoi nevojën që vendi të jetë gati për të shfrytëzuar fondet evropiane të zhvillimit që nga dita e parë e anëtarësimit.
Milatoviq me von der Leyen: Mali i Zi gati për anëtarësim në BE në vitin 2028
Milatoviq me von der Leyen: Mali i Zi gati për anëtarësim në BE në vitin 2028/ AA

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, u takua me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me të cilën diskutoi për përfundimin e negociatave të anëtarësimit, reformat dhe hapat e ardhshëm të Malit të Zi në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Milatoviq shprehu kënaqësinë për vizitën e radhës të von der Leyenit në Mal të Zi, duke vlerësuar se ardhja e saj përbën një konfirmim shtesë të perspektivës evropiane të vendit dhe rëndësisë që politika e zgjerimit ka fituar sërish.

Von der Leyen e falënderoi Milatoviqin për përkushtimin e tij të fuqishëm dhe të vazhdueshëm ndaj së ardhmes evropiane të Malit të Zi dhe kontributin e tij në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.

Ajo e inkurajoi Malin e Zi të mbetet i fokusuar në reformat dhe detyrimet që e presin në përfundimin e negociatave të anëtarësimit.

Milatoviq tha se Mali i Zi mbetet i përkushtuar ndaj objektivit “I 28-ti deri në ‘28”, përkatësisht synimit për t’i përfunduar negociatat gjatë vitit 2026, për të nënshkruar Traktatin e Anëtarësimit në vitin 2027 dhe për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian në vitin 2028.

“Mali i Zi sot është më afër se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe është i gatshëm të përfundojë pjesën e tij të punës. Objektivi ynë është i qartë, që deri në fund të këtij viti të mbyllim të gjithë kapitujt e mbetur të negociatave. Nuk kërkojmë rrugë të shkurtra, por që përparimi ynë të vlerësohet në bazë të rezultateve dhe që Bashkimi Evropian të sigurojë një rrugë të qartë dhe të parashikueshme drejt anëtarësimit”, tha Milatoviq.

Ai theksoi se Mali i Zi duhet të përgatitet jo vetëm për përfundimin e negociatave, por edhe për ditën e parë të anëtarësimit.

“Jemi të gatshëm për anëtarësim, por duhet të jemi të gatshëm edhe që nga dita e parë të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që ai sjell. Prandaj, tani është më e rëndësishmja të ndërtojmë institucione, njohuri dhe kapacitete administrative që do të na mundësojnë t’i shndërrojmë menjëherë fondet evropiane në zhvillimin e shtetit, infrastrukturë më të mirë, ekonomi më të fuqishme, vende të reja pune dhe jetë më cilësore për qytetarët”, u shpreh Milatoviq.

Gjatë takimit u diskutua edhe për udhërrëfyesit e paralajmëruar për vendet kandidate më të avancuara, të cilat von der Leyen i prezantoi në fjalimin e saj për gjendjen e Bashkimit.

Milatoviq shprehu pritshmërinë se ato do ta bëjnë fazën përfundimtare të procesit më të qartë dhe më të parashikueshme, duke përcaktuar saktësisht hapat e ardhshëm të vendeve kandidate, por edhe detyrimet e institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për rezultatet e Samitit BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur në Tivat, i cili, siç u njoftua, konfirmoi më tej rëndësinë strategjike të politikës së zgjerimit dhe momentin e favorshëm politik për vendet kandidate.

“Mali i Zi dëshiron të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian në vitin 2028. Jemi të gatshëm ta përfundojmë punën dhe anëtarësimin ta shndërrojmë në një mundësi të re zhvillimore për Malin e Zi dhe të gjithë qytetarët e tij”, përfundoi Milatoviq.

Vizita e von der Leyenit në Mal të Zi është pjesë e turneut të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, gjatë të cilit ajo po diskuton me liderët e rajonit për integrimin evropian dhe përparimin në procesin e anëtarësimit.