Në Shqipëri vazhdojnë protestat mbi çështjen e projektit turistik në zonën e Zvërnecit në Qarkun e Vlorës, kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura, dhe, sipas protestuesve, kundër qeverisjes në vend, duke hyrë në ditën e 14-të.
Mijëra protestues, kryesisht të rinj, janë mbledhur sërish në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e projektit në Zvërnec, si dhe me kërkesa të tjera.
Në ditët e fundit në vend ka pasur pretendime se projekti lidhet me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump, duke shkaktuar reagime dhe protesta në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Protestuesit janë mbledhur fillimisht në Sheshin “Skënderbeu”, për të vijuar drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ku mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta kundër qeverisë Rama.
Për Anadolu, disa nga protestuesit janë shprehur se kanë ardhur edhe nga jashtë vendit për të protestuar.
Xhimi Haka, 52-vjeç ka ardhur nga Italia për të protestuar, ndërkohë ai theksoi se e vetmja zgjidhje është rrëzimi i qeverisë dhe, sipas tij, nuk ka zgjidhje tjetër. Haka u shpreh se qeveria i duket "qeveri antishqiptare".
"Kam ardhur këtu për të mbështetur gjithë popullin shqiptar që është ngritur i gjithë në këmbë për dramën e shpopullimit që po i bëhet Shqipërisë. Më duket një projekt i përgatitur në tavolinë për shpopullimin e popullsisë. Unë kam 25 vjet mërgim. Jemi tetë vëllezër, shtatë jemi në mërgim. Është një tragjedi, fshatrat tonë janë boshatis krejt, fshatrat nuk as rrugë, as ujë, as drita dhe asgjë. Këta(qeveritarët) janë mercenarë antishqiptarë ", tha Haka.
Edhe Frederik Nikollnonaj, 32-vjeç ka ardhur nga Italia për të protestuar. "(Kam ardhur) për të protestuar për të drejtat e njeriut që janë shkelur në Shqipëri. Të rrëzohet zullumi i komunizmit. Janë njësoj si Rama, si (Sali) Berisha", theksoi Nikollnonaj.
Pjesë e protestës janë bërë edhe pensionistë, ku njëri prej tyre është edhe Qemal Hasko, 74-vjeç.
"Jam pensionist i vjedhur nga krimi i organizuar shtetëror. I gjithë shteti kundër ligjit të pensioneve. Nuk zbatohet ligji, i gjithë shteti kundër ligjit, parlamenti kriminal. Edi Rama është kriminel, u mohon punën shqiptarëve dhe nxjerr pensione zero. Unë kam tetë vjet që jam në protestë me ketë shtet dhe policia e shtetit nuk më lë të protestoj para Kryeministrisë. Kemi një polici të shtetit që mbron krimin dhe kundër fjalës së lirë", tha Hasko.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme janë mbajtur sërish protesta edhe në zonën e Rrjollit në Qarkun e Shkodrës kundër ndërtimit të një resorti turistik, duke u pretenduar se po "grabitet prona". Gjatë protestës në Rrjoll u shënuan edhe tensione dhe përplasje, pasi protestuesit dëmtuan dhe larguan një pjesë të një gardhi rrethues, ndërkohë që është raportuar edhe për një person të lënduar.
Të iniciuara nga aktivistë dhe të mbështetura nga qytetarët, protesta janë zgjeruar në ditët e fundit edhe mbi çështje të tjera, si shfuqizimin kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë, shfuqizimin ligjit të njohur si "Paketa e Maleve" dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Në lidhje me këtë çështje, në ditët e fundit janë organizuar protesta të ngjashme edhe në qytete të tjera të vendit, ndërkohë janë mbajtur protesta edhe nga shqiptarët që jetojnë në disa vende të Evropës.
Gjatë një proteste më 30 maj në zonën e Zvërnecit u shënuan incidente, ku sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa roje të një kompanie private të sigurisë tërhoqën zvarrë një qytetar, duke shkaktuar më pas fillimin e protestave në Tiranë.
Në lidhje me çështjen, kryeministri Rama ka deklaruar se projekti në Zvërnec po ndjek të gjitha procedurat ligjore dhe mjedisore, duke shtuar se deri më tani nuk ka pasur një projekt përfundimtar apo studim të plotë të ndikimit në mjedis.
Gjithashtu në media është raportuar se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) ka filluar hetimet për çështjen e Zvërnecit, ndërsa prokuroria ende nuk ka publikuar një njoftim zyrtar.



















