| Albanian
POLITIKË
3 minuta leximi
Türkiye, Egjipti, Pakistani dhe Arabia Saudite mirëpresin memorandumin ShBA-Iran
Grupi R4 e cilësoI Memorandumin e Islamabadit si një hap drejt uljes së tensioneve rajonale, bën thirrje për një zgjidhje të qëndrueshme përmes negociatave dhe përsërit mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete të Palestinës.
Türkiye, Egjipti, Pakistani dhe Arabia Saudite mirëpresin memorandumin ShBA-Iran
Türkiye, Egjipti, Pakistani dhe Arabia Saudite mirëpresin memorandumin ShBA-Iran / AA

Türkiye, Egjipti, Pakistani dhe Arabia Saudite mirëpritën memorandumin e fundit të mirëkuptimit mes ShBA-së dhe Iranit, që synon uljen e tensioneve rajonale, dhe ripohuar mbështetjen për shtetin palestinez gjatë një takimi të ministrave të tyre të Jashtëm në Kajro të dielën.

Ministrat u takuan në kryeqytetin egjiptian me ftesë të Egjiptit, në kuadër të takimit të katërt konsultativ të grupimit katërvendësh, të njohur si R4, sipas një deklarate të përbashkët të publikuar nga Ministria e Jashtme turke.

Sipas deklaratës së lëshuar pas takimit të R4-së, ministrat diskutuan zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare dhe theksuan rëndësinë e konsultimeve dhe koordinimit të vazhdueshëm për promovimin e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në Lindjen e Mesme dhe në rajonin më të gjerë.

Ata mirëpritën nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit të Islamabadit mes ShBA-së dhe Iranit më 18 qershor, duke e cilësuar atë si “një hap konstruktiv drejt uljes së tensioneve dhe përfundimit të një konflikti që paraqiste rreziqe të mëdha për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, si dhe për tregjet e energjisë, rrugët ndërkombëtare detare, zinxhirët globalë të furnizimit dhe tregtinë ndërkombëtare”.

Katër ministrat vlerësuan përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare që mundësuan arritjen e memorandumit të mirëkuptimit dhe theksuan rëndësinë e zbatimit të plotë të angazhimeve të palëve.

“Zgjidhje e qëndrueshme, e verifikueshme dhe e pranueshme reciprokisht”

Ministrat vlerësuan gjithashtu rolin e Pakistanit në arritjen e asaj që e përshkruan si një “rezultat historik” dhe njohën mbështetjen e Katarit në përmbylljen me sukses të negociatave. Ata mirëpritën po ashtu koordinimin e ngushtë të Pakistanit me grupin gjatë gjithë procesit.

Duke u bazuar në memorandumin e mirëkuptimit, ministrat theksuan nevojën për përfundimin e shpejtë të fazës së ardhshme të negociatave, me qëllim arritjen e “një zgjidhjeje të qëndrueshme, të verifikueshme dhe të pranueshme reciprokisht” për çështjet e mbetura.

Ata thanë se procesi duhet të marrë parasysh shqetësimet e vendeve të rajonit, veçanërisht në lidhje me sigurinë dhe stabilitetin e shteteve arabe të Gjirit dhe Levantit, me synimin për forcimin e sigurisë kolektive dhe promovimin e stabilitetit afatgjatë rajonal.

Ministrat riapohuan gjithashtu se çështja palestineze mbetet thelbësore për arritjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Lindjen e Mesme. Diskutimet u përqendruan në situatën humanitare dhe politike në Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Jeruzalemin Lindor.

Duke përsëritur mbështetjen për të drejtat legjitime të popullit palestinez, ministrat mbështetën të drejtën e tij për vetëvendosje dhe krijimin e një shteti të pavarur palestinez mbi bazën e kufijve të 4 qershorit 1967, me Jeruzalemin Lindor si kryeqytet, në përputhje me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë