Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi të enjten se Türkiye dhe Kanadaja synojnë t’i nisin negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë, si dhe projekte të reja në fushat e energjisë, tregtisë, transportit dhe industrisë së mbrojtjes, me qëllim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
“Shpresojmë ta rrisim vëllimin tonë tregtar, i cili aktualisht është rreth 3 miliardë dollarë, fillimisht në 5 miliardë dhe më pas në 10 miliardë dollarë, përmes hapave që do t’i ndërmarrim”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin kanadez, Mark Carney, në Ankara.
Erdoğan tha se të dyja palët kanë rënë dakord të nisin negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë përpara fundit të vitit, me qëllim nxitjen e tregtisë dhe investimeve.
Ai theksoi se ngritja e marrëdhënieve Türkiye-Kanada në nivelin e partneritetit strategjik nuk do të jetë thjesht një hap simbolik në letër.
“Sot kemi kapërcyer shkëputjen që kishte vazhduar për shumë vite mes Türkiyes dhe Kanadasë. Tani po nisim një epokë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve”, tha ai.
“Gjatë vizitës sime të parë në Kanada, do t'i mbledhim së bashku përfaqësuesit e biznesit dhe do të ndërmarrim hapa përpara”, shtoi Erdoğan.
Ai përshëndeti gjithashtu sanksionet e Kanadasë ndaj vendbanimeve të paligjshme izraelite, duke thënë se Ankaraja i konsideron këto masa të përshtatshme për të frenuar shkeljet nga ana e Tel-Avivit.
Sa u përket konflikteve ndërkombëtare, Erdoğan tha se Türkiye shpreson që përpjekjet diplomatike t'i hapin rrugën paqes së qëndrueshme si në Ukrainë, ashtu edhe në rajonin e Gjirit.






















