| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Kajzer: Nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por mund të mos ua përcjellim barrën brezave
Gjatë Procesit të Berlinit, kryediplomati slloven theksoi rëndësinë e pajtimit, dialogut politik dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë për përparimin e Ballkanit Perëndimor drejt familjes së BE-së.
Kajzer: Nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por mund të mos ua përcjellim barrën brezave
Kajzer: Nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por mund të mos ua përcjellim barrën brezave / Foto: Tone Kajzer / X

Ministri i Punëve të Jashtme i Sllovenisë, Tone Kajzer, në takimin ministror të Procesit të Berlinit në Budva të Malit të Zi ka theksuar rëndësinë e pajtimit, dialogut politik dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë për përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE).

Gjatë Procesit të Berlinit, Kajzer theksoi rëndësinë e pajtimit, dialogut politik dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë për përparimin e Ballkanit Perëndimor drejt familjes së BE-së.

“Është e rëndësishme që vendet t’i zgjidhin në mënyrë efikase çështjet e hapura, përfshirë çështjen e trashëgimisë së ish-Jugosllavisë. Nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por përmes dialogut mund të sigurojmë që barra e saj të mos u përcillet brezave të ardhshëm”, shkroi ai në X.

Ai theksoi se Ballkani Perëndimor duhet të vazhdojë reformat dhe të forcojë bashkëpunimin rajonal, “ndërsa BE-ja duhet t’i përgjigjet konkretisht progresit të arritur”.

“Të rinjtë duhet t’i ndiejnë ndryshimet në jetën e përditshme dhe të kenë arsye që të ardhmen e tyre ta ndërtojnë në vendlindje”, shtoi Kajzer.

Takimi ministror i Procesit të Berlinit, i cili mbledh ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të lartë të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, BE-së dhe organizatave rajonale, filloi sot në Budva të Malit të Zi.

Pritës i takimit është ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, ndërsa në fillim të takimit foli edhe komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos.

Mali i Zi në vitin 2026 për herë të parë kryeson Procesin e Berlinit, i cili u nis në vitin 2014. Kryesimi do të përfundojë me samitin e liderëve, të parashikuar për më 22 tetor.

Procesi i Berlinit mbledh qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, nëntë shtete anëtare të BE-së dhe Mbretërinë e Bashkuar, me mbështetje të fuqishme nga organizatat rajonale, si dhe nga Gjermania, si nismëtare e kësaj iniciative. Ai shërben si platformë për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Qëllimi i Procesit të Berlinit është përmirësimi i bashkëpunimit rajonal, si dhe i bashkëpunimit me BE-në në një sërë fushash politike, për të mbështetur vendet e rajonit në përmbushjen e standardeve të BE-së dhe për të sjellë përfitime konkrete për qytetarët.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë