| Albanian
SPORT
2 minuta leximi
Real Madrid zgjat kontratën e Arda Gulerit deri në vitin 2031
21-vjeçari, kontrata aktuale e të cilit skadon në vitin 2029, ka pranuar një zgjatje dyvjeçare deri në vitin 2031 dhe kjo do të jetë rinovimi i parë i kontratës së tij që nga transferimi te Real Madridi.
Real Madrid zgjat kontratën e Arda Gulerit deri në vitin 2031
Real Madrid zgjat kontratën e Arda Gulerit deri në vitin 2031./ AA

Real Madridi ka arritur marrëveshje me mesfushorin turk Arda Guler për zgjatjen e kontratës deri në vitin 2031.

Sipas të përditshmes sportive AS me seli në Madrid, 21-vjeçari, kontrata aktuale e të cilit skadon në vitin 2029, ka pranuar një zgjatje dyvjeçare deri në vitin 2031 dhe kjo do të jetë rinovimi i parë i kontratës së tij që nga transferimi te Real Madridi.

Zgjatja e kontratës do ta mbajë Gulerin te Real Madridi për të paktën edhe pesë vjet të tjera.

Marrëveshja e re përfshin gjithashtu një rritje page, që pasqyron rëndësinë në rritje të Gülerit në ekip, thuhet në raport.

Pas raportimeve, faqja gjermane e të dhënave të futbollit Transfermarkt e rriti vlerën aktuale të tregut të Gulerit në 100 milionë euro (112 milionë dollarë), nga 90 milionë euro (100,8 milionë dollarë).

Guler ka startuar në pesë ndeshje deri tani këtë sezon nën drejtimin e Jose Mourinhos.

Reprezentuesi i Türkiyes luajti gjithashtu një rol të rëndësishëm sezonin e kaluar, duke nisur si titullar në 40 ndeshje dhe duke e përfunduar sezonin me gjashtë gola dhe 14 asistime, më shumë se çdo lojtar tjetër i ekipit.

Guler iu bashkua Real Madridit nga klubi turk Fenerbahçe në vitin 2023 dhe tani është në sezonin e tij të katërt me skuadrën spanjolle.

AS raportoi se Real Madridi e konsideron Gulerin një lojtar të rëndësishëm si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen, ndërsa trajnerët që kanë punuar me të gjatë kohës së tij në klub kanë vënë në pah cilësinë dhe potencialin e tij për zhvillim të mëtejshëm.

Mourinho gjithashtu vlerësoi ndikimin e reprezentuesit turk në ekip.

“Për mua, cilësia e tij në lojë është e jashtëzakonshme. Vizioni, marrja e vendimeve, organizimi i lojës, stabiliteti që i jep ekipit, krijimtaria”, tha ai.

“Ai është një lojtar me potencial fantastik, i cili tashmë ka statistika shumë interesante, dhe ato nuk janë vetëm asistime dhe gola. Ato dalin nga një analizë më e thellë. Ai është një djalë i ri që ka një ndikim të madh”, shtoi Mourinho.