Tre avionë që transportonin aktivistët e flotiljes humanitare Sumud, të arrestuar më herët këtë javë nga Izraeli në ujërat ndërkombëtare, mbërritën të enjten në Istanbul.
Tre avionët e Turkish Airlines, që i transportonin aktivistët e arrestuar në flotiljen, e cila u sulmua nga ushtria izraelite në ujërat ndërkombëtare teksa përpiqej ta thyente bllokadën ndaj Gazës dhe të dërgonte ndihma jetike humanitare, u ulën në Aeroportin e Istanbulit.
Aktivistët u pritën në sallën VIP të aeroportit nga familjarët e tyre dhe zyrtarë të shumtë.
Ata që kishin pësuar lëndime u transportuan me autoambulancat që prisnin në aeroport.
Pas ceremonisë së pritjes, aktivistët pritet të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Istanbul për ekzaminime, në kuadër të një hetimi të nisur nga prokuroria e Istanbulit.
Aktivistët kthehen në Türkiye
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, deklaroi më herët të enjten se ishte organizuar një fluturim i posaçëm për të kthyer në Türkiye shtetasit turq dhe pjesëmarrësit nga vende të treta që ndodheshin në flotilën humanitare.
Flotilja njoftoi të martën se të 50 anijet e konvojit të saj ishin sekuestruar nga Izraeli pas sulmeve të kryera në ujërat ndërkombëtare.
Flotilja, me 428 persona nga 44 vende, ishte nisur të enjten e kaluar nga Marmarisi i Türkiyes në përpjekjen e saj më të fundit për të thyer bllokadën izraelite ndaj Rripit të Gazës, të vendosur që nga viti 2007 dhe që ka lënë një pjesë të madhe të popullsisë në prag të urisë.























