Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se votimi i Projektligjit për Gjykatën Speciale është urgjencë, mirëpo zgjedhja e presidentit të ri është emergjencë për vendin.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media pak orë para se të skadojë afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, Kurti tha se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, nuk po shpreh vullnet të takohet më me të, pavarësisht rrethanave për zgjedhjen e presidentit të ri.
Kurti tha se aktgjykimi dënues i Gjykatës Speciale kundër katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duhet të korrigjohet në Apel dhe Apeli do të marrë kohë, angazhim dhe shumë nerva. Por, sipas tij, me mosvotimin e presidentes sonte vendi mund të shkojë brenda orësh në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, pa pasur nevojë reale për një gjë të tillë.
Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) bëri katër hapa drejt PDK-së, duke votuar për nënkryetarin e PDK-së në Kuvend, duke miratuar deklaratën e përbashkët kundër aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale, duke thirrur seancë për Projektligjin për ndryshimet ligjore të Gjykatës Speciale dhe miratimi i tij në lexim të parë, ndërsa PDK-ja nuk e ka bërë asnjë hap drejt LVV-së.
“Ligji është urgjencë, por presidenti është emergjencë. Presidenti duhet të zgjidhet sot, ndërsa ligjin mund ta votojmë më pastaj duke respektuar edhe afatin 72 orësh sipas nenit 85 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës”, tha Kurti, i cili duke cituar paragrafin e Rregullores së Kuvendit, tha se për shqyrtim të dytë të një Projektligjit duhet pritur 72 orë nga miratimi i tij në lexim të parë.
Kryeministri Kurti ka paraqitur në fund edhe një ofertë për PDK-në, ku tha se nëse PDK-ja zotohet publikisht se sigurojnë së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për kandidatin Bekim Sejdiu për president, LVV do të procedojë me votimin në leximin e dytë të Projektligjit për Gjykatën Speciale.
“Nëse PDK-ja zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për profesor Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër e kemi bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, atëherë po procedojmë me votimin në leximin e dytë. Por kërkojmë nga PDK-ja publikisht, meqenëse s’po mund t’i takojmë më, që të zotohen publikisht, para jush, para opinionit publik, para qytetarëve të Kosovës, se, së paku gjysmën e tyre të grupit parlamentar mund të na sjellin në seancë e të votojnë qoftë edhe kundër për Bekim Sejdiun”, ka thënë Kurti.
Sejdiu ishte propozim i përbashkët i LVV-së dhe LDK-së për president të vendit, pas një marrëveshje midis dy partive, por marrëveshja u rrezikua pasi gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër Sejdiut për president. Pas kësaj, Sejdiu u tërhoq nga kandidatura.
LVV-ja me partitë e minoriteteve joserbe ka gjithsej 62 deputetë në këtë legjislaturë, PDK-ja 22 deputetë, ndërsa LDK-ja 18.
Për votimin e presidentit të ri duhen 80 vota në dy raundet e para të votimit, ndërsa më pas presidenti mund të votohet edhe me 61 vota pro, por me prezencë të 80 deputetëve në sallë.





















