Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me ministrin francez të deleguar për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, ndërkohë kryediplomati shqiptar ka theksuar se dinamika e marrëdhënieve Shqipëri-Francë nuk ka qenë kurrë më e pasur dhe më e fortë.
Në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin, Hoxha ka theksuar se me ministrin Haddad, ka zhvilluar një diskutim thelbësor, sipas tij, veçanërisht mbi procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian(BE), situatën në Ballkanin Perëndimor, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.
"Dinamika e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Francës nuk ka qenë kurrë më e pasur, më e fortë dhe më premtuese. Shpreha mirënjohjen time të thellë për qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Francës në mbështetje të një Evrope më të zgjeruar, më të bashkuar, më të fortë dhe gjithmonë në solidaritet dhe të aftë për t'iu përgjigjur sfidave të një bote gjithnjë e më të trazuar", është shprehur Hoxha.
Hoxha ka shtuar se gjithashtu ka përgëzuar angazhimin personal të ministrit Haddad në mbështetjen e rrugëtimit evropian të Shqipërisë, "veçanërisht gjatë fazave vendimtare të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian".
"Përtej dialogut të përforcuar politik, partneriteti ynë dypalësh po materializohet përmes projekteve të prekshme me përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët tanë. Brenda kuadrit të një partneriteti në zgjerim të vazhdueshëm, ne po forcojmë në mënyrë aktive bashkëpunimin në fusha strategjike si inovacioni i përparuar, energjia e gjelbër, mbrojtja, arsimi, komunikimi strategjik dhe shkëmbimet kulturore", tha Hoxha.
Kryediplomati i Shqipërisë ka theksuar se riafirmuan angazhimin e përbashkët për ta thelluar më tej "këtë partneritet të veçantë" dhe për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.





















