| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Hakerët sulmojnë sistemin e ftohjes së një dyqani mishi në Athinë, temperaturën e rrisin në 150 °C
Duke menduar fillimisht se pajisjet ftohëse kishin pësuar ndonjë defekt, punonjësit thirrën një teknik, i cili më pas konstatoi se sistemet ishin hakuar.
Hakerët sulmojnë sistemin e ftohjes së një dyqani mishi në Athinë, temperaturën e rrisin në 150 °C
Hakerët sulmojnë sistemin e ftohjes së një dyqani mishi në Athinë, temperaturën e rrisin në 150 °C

Një dyqan mishi në lagjen Kifisia të Athinës është vënë në shënjestër të një sulmi kibernetik, ku hakerët dyshohet se kanë hyrë në sistemin e kontrollit të pajisjeve ftohëse dhe e kanë vendosur temperaturën në 150°C, raportuan të martën mediet greke.

Incidenti u raportua nga pronari i dyqanit, Giorgos Boumpas, i cili tha se punonjësit e vunë re problemin kur mbërritën herët në mëngjes, sipas gazetës "Capital".

Duke menduar fillimisht se pajisjet ftohëse kishin pësuar ndonjë defekt, punonjësit thirrën një teknik, i cili më pas konstatoi se sistemet ishin hakuar.

"Ata i kishin vendosur pajisjet ftohëse në 150 gradë Celsius; ne nuk mundëm të ndërhynim manualisht pasi nuk kishim qasje në sistem," tha Boumpas, duke shtuar se tekniku arriti ta rimarrë kontrollin pas dy orësh.

Ai tregoi se tekniku i kishte informuar gjithashtu për incidente të ngjashme në dy biznese të tjera në zonë.

Boumpas shtoi se bizneset e prekura, përfshirë edhe të tijin, bashkëpunonin me një kompani të jashtme për mirëmbajtjen e sistemeve ftohëse.

Ai shpjegoi se motorët më të vjetër të ftohjes nuk ishin prekur, ndërsa modelet më të reja, të pajisura me lidhje rrjeti pa tel (wireless), ishin të cenueshme.

Dyqani e çaktivizoi më pas lidhjen Wi-Fi, ndërsa pritet që një teknik të gjejë një zgjidhje të përhershme, shtoi ai.