Komisioni Evropian akuzoi sot platformën e blerjeve online Temu për shkelje të rregullave digjitale të BE-së, pasi nuk ka marrë masa të mjaftueshme për të parandaluar shitjen e produkteve të paligjshme.
Duke bërë të ditura gjetjet paraprake të hetimit të zhvilluar në kuadër të Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA), Komisioni tha se kontrollet e Temu-t për përputhshmërinë e produkteve, sistemi i moderimit të përmbajtjes dhe masat ndëshkuese ndaj shitësve nuk janë efektive.
Sipas Komisionit, platforma u kërkon shitësve të paraqesin raporte testimi vetëm për një pjesë të vogël të produkteve, ndërsa këto raporte shpesh nuk kontrollohen. Kontrollet fizike nuk u japin përparësi produkteve me rrezik të lartë, si lodrat, pajisjet elektronike dhe produktet kozmetike. Ndërkohë, rezultatet e kontrolleve të mostrave shpesh nuk ndiqen me masa të mjaftueshme.
Komisioni konstatoi se kontrollet dhe numri i punonjësve përgjegjës për moderimin e përmbajtjes nuk janë përshtatur me rritjen e numrit të produkteve të publikuara në platformë. Sistemi i moderimit përqendrohet te informacioni në njoftimet e produkteve dhe jo te siguria e vetë produkteve.
Masat ndëshkuese zbatohen ndaj dyqaneve individuale dhe jo ndaj shitësve, duke u mundësuar tregtarëve, dyqanet e të cilëve janë mbyllur, të vazhdojnë shitjet përmes dyqaneve të tjera në platformë. Temu mund të shqyrtojë dosjen e hetimit dhe t'u përgjigjet me shkrim gjetjeve paraprake përpara se Komisioni të marrë vendim përfundimtar.
Nëse këto gjetje konfirmohen, kompania mund të përballet me një gjobë deri në 6 për qind të të ardhurave të saj vjetore globale. Gjetjet e fundit lidhen me detyrimin e Temu-t për të marrë masa që ulin rreziqet që lidhen me produktet e paligjshme, pas një vendimi të mëparshëm që kishte të bënte me vlerësimin e këtyre rreziqeve.
Në maj, Komisioni gjobiti Temu-n me 200 milionë euro për mosrespektimin e detyrimeve për vlerësimin e rreziqeve, sipas Aktit për Shërbimet Digjitale.























