| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
JD Vance: Ka përparim të madh në bisedimet me Iranin, objektiv transformimi i Lindjes së Mesme
Zëvendëspresidenti amerikan tha se nëse Irani është i gatshëm të heq dorë nga ambiciet e tij për armë bërthamore në afat të gjatë, atëherë ShBA-ja është e gatshme t’i transformojë rrënjësisht marrëdhëniet e saj me Teheranin.
JD Vance: Ka përparim të madh në bisedimet me Iranin, objektiv transformimi i Lindjes së Mesme
JD Vance: Ka përparim të madh në bisedimet me Iranin, objektiv transformimi i Lindjes së Mesme / AP

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha të dielën se “është bërë përparim i madh” gjatë orëve të fundit në bisedimet me Iranin dhe shprehu shpresën se në orët në vijim do të ketë “përparim shtesë”, teksa negociatat mes dy palëve nisën në Zvicër.

“Tashmë kemi bërë përparim të madh vetëm gjatë orëve të fundit dhe pres që të ketë përparim shtesë” në orët në vijim, tha Vance në deklaratat e tij para hapjes së bisedimeve në Burgenstock.

Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif, së bashku me homologun e tij nga Katari, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, hapi bisedimet që synojnë zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit të Islamabadit, të nënshkruar më 17 qershor.

Vance tha se objektivi i bisedimeve me Iranin është “transformimi” i Lindjes së Mesme.

Ai shtoi se nëse Irani është i gatshëm të heqë dorë nga ambiciet për armë bërthamore në “afat të gjatë”, atëherë ShBA-ja është e gatshme të transformojë rrënjësisht marrëdhëniet me Teheranin. “Ky është sigurisht qëllimi ynë”, tha ai.

“Ky është një takim historik. Asnjëherë më parë, jashtë Islamabadit, dhe në këtë nivel gjatë muajve të fundit, udhëheqjet iraniane dhe amerikane nuk janë takuar në një nivel kaq të lartë”, tha më tej Vance.

I pyetur për shkeljet e vazhdueshme izraelite të armëpushimit në Liban, ai tha: “Kemi parë përparim të madh gjatë dy ditëve të fundit për të siguruar që armëpushimi në Liban të mbahet”.

“Këto gjëra janë gjithmonë pak të ndërlikuara, nëse krahasojmë atë që po ndodhte tre muaj më parë me atë që po ndodhte tre javë më parë”, shtoi ai.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë