Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, e ka akuzuar kryeministrin Benjamin Netanyahu se po planifikon të formojë një qeveri të mbështetur nga ShBA-ja, e cila do ta përjashtonte atë.
Në një postim në platformën amerikane të mediave sociale X, Ben-Gvir tha se Netanyahu i kishte "premtuar administratës amerikane se, pas zgjedhjeve, do të formonte një qeveri të unitetit me Gadi Eisenkotin dhe pa Ben-Gvirin".
Komentet e tij erdhën pasi gazeta Israel Hayom raportoi se presidenti amerikan, Donald Trump, po ushtron presion për formimin e një qeverie të unitetit që do të përfshinte Netanyahun dhe rivalin e tij kryesor, Eisenkot.
Sipas gazetës, kryeministri izraelit ka sinjalizuar në bisedime me dyer të mbyllura se do të ishte i gatshëm të hiqte dorë nga aleatët e tij të ekstremit të djathtë, për t'i çuar përpara Marrëveshjet e Abrahamit, që e synojnë normalizimin e marrëdhënieve me vendet arabe, përfshirë Arabinë Saudite.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur izraelitët vazhduan të votonin sot në zgjedhjet parlamentare, të cilat do ta përcaktojnë qeverinë e ardhshme të vendit.
Këto janë zgjedhjet e para të përgjithshme në Izrael që nga fillimi i luftës së cilësuar si gjenocidale në Rripin e Gazës, në tetor të vitit 2023.
Nga ana e tij, Netanyahu i cilësoi komentet e Ben-Gvirit si një "truk elektoral" për t'i mobilizuar votuesit.
"Deri kur do të vazhdosh ta përsërisësh këtë truk?", shkroi ai në X.
Netanyahu, i cili drejton qeverinë aktuale që nga fundi i vitit 2022, po përballet me një proces gjyqësor për akuza korrupsioni, përfshirë ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit publik. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me burgim.
Ai përballet gjithashtu me një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Gaza, ku janë vrarë më shumë se 74.000 persona dhe janë plagosur mbi 175.000 të tjerë.























