Irani ka pranuar t'i hollojë rezervat e uraniumit të pasuruar në kuadër të marrëveshjes së përkohshme me Shtetet e Bashkuara, thanë të premten zyrtarë të lartë të administratës amerikane, teksa publikuan atë që e cilësuan si tekstin e marrëveshjes.
“Fakti që ata po pranojnë këtë është një fitore shumë, shumë e madhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha një nga zyrtarët amerikanë lidhur me çështjen bërthamore gjatë një telefonate me gazetarët.
Marrëveshja parashikon gjithashtu rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe lejimin e shitjeve të naftës iraniane, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të hartojnë plane për një fond rindërtimi prej 300 miliardë dollarësh për Iranin.
Zyrtarët amerikanë lexuan tekstin gjatë një konference telefonike, pas disa ditësh paqartësie mbi atë që përfshihej realisht në marrëveshjen e njoftuar të dielën nga presidenti Donald Trump.
Marrëveshja paraprake do të pasohet nga 60 ditë negociata për një marrëveshje përfundimtare. Pas kësaj periudhe, Trumpi tha se Uashingtoni mund t’u rikthehet “bombardimeve” nëse Irani nuk bie dakord.
Sipas zyrtarëve amerikanë, programi bërthamor i Iranit përmendet në marrëveshje, me klauzola shtesë krahasuar me draftet që ishin rrjedhur më parë në mediat amerikane dhe të huaja.
Sipas tekstit të lexuar nga zyrtarët amerikanë, të dy vendet kanë rënë dakord të diskutojnë një mekanizëm për trajtimin e rezervave iraniane të uraniumit të pasuruar, të cilat kanë qenë në qendër të akuzave amerikane se Teherani synon të zhvillojë armë bërthamore.
Në tekst thuhet se “metodologjia minimale” do të jetë “hollimi në vend nën mbikëqyrjen e IAEA-s”, Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.
Hollimi nënkupton përzierjen e uraniumit të pasuruar, që mund të rafinohet për prodhimin e bombave atomike, me uranium të varfëruar, për të ulur nivelin e tij radioaktiv.
“Ata po thonë se do ta shkatërrojnë rezervën e pasuruar dhe kjo është mënyra se si do ta bëjnë, të paktën në minimum”, tha zyrtari i lartë amerikan, duke shtuar se ky ishte komenti i tij mbi marrëveshjen.
Zyrtarët amerikanë pranuan se fondi i mundshëm prej 300 miliardë dollarësh për rindërtimin e Iranit, pas luftës së nisur nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara më 29 shkurt, ishte pjesa “e dytë më e diskutueshme” pas çështjes bërthamore.
Teksti thotë se Uashingtoni “merr përsipër, së bashku me partnerët rajonalë, të zhvillojë një plan përfundimtar të dakorduar reciprokisht, me të paktën 300 miliardë dollarë për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Republikës Islamike të Iranit”.
Mekanizmi për këtë do të jetë gjithashtu pjesë e negociatave 60-ditore.
Por zyrtari këmbënguli se Uashingtoni nuk do të mbajë barrë financiare, ndërsa Trumpi përballet me akuza për hipokrizi pasi kishte kritikuar ashpër pagesat me para për Iranin gjatë marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 nën presidentin Barack Obama.
“Vini re se kjo nuk na kërkon të bëjmë asgjë... të paguajmë ndonjë qindarkë për iranianët, apo të kontribuojmë ndonjë shumë në këtë fond rindërtimi”, tha zyrtari i parë i lartë.
“Ajo që thuhet është se nëse arrijmë një marrëveshje përfundimtare dhe nëse iranianët sillen siç duhet, ne do të lejojmë lehtësimin e sanksioneve që do të mundësonte, për shembull, që Emiratet të ndërtojnë një termocentral në Iran”.
Më poshtë është teksti i plotë i marrëveshjes sipas raportimeve të mediave amerikane:
1 — Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika Islamike e Iranit, si dhe aleatët e tyre në luftën aktuale, me nënshkrimin e këtij Memorandumi Mirëkuptimi, shpallin përfundimin e menjëhershëm dhe të përhershëm të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë në Liban, dhe marrin përsipër që nga tani e tutje të mos nisin asnjë luftë apo operacion ushtarak kundër njëri-tjetrit, të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër njëri-tjetrit dhe të garantojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Libanit. Marrëveshja përfundimtare do të konfirmojë përfundimin e përhershëm të luftës në të gjitha frontet, përfshirë në Liban, si dhe dispozitat e tjera të këtij paragrafi.
2 — Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika Islamike e Iranit marrin përsipër të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit dhe të përmbahen nga ndërhyrja në punët e brendshme të njëri-tjetrit.
3 — Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika Islamike e Iranit angazhohen të negociojnë dhe të arrijnë marrëveshjen përfundimtare brenda një afati maksimal prej 60 ditësh, i cili mund të zgjatet me pëlqim të ndërsjellë.
4 — Menjëherë pas nënshkrimit të këtij Memorandumi Mirëkuptimi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të nisin heqjen e bllokadës detare dhe të çdo pengese apo ndërhyrjeje kundër Republikës Islamike të Iranit dhe do ta përfundojnë plotësisht bllokadën detare brenda 30 ditësh. Gjatë kësaj periudhe, trafiku i anijeve do të rikthehet në përpjesëtim me nivelet e trafikut para luftës nga Republika Islamike e Iranit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrin gjithashtu përsipër të largojnë forcat e tyre nga afërsia e Republikës Islamike të Iranit brenda 30 ditëve pas marrëveshjes përfundimtare.
5 — Pas nënshkrimit të këtij Memorandumi Mirëkuptimi, Republika Islamike e Iranit do të bëjë përpjekjet më të mira për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve tregtare, pa pagesë, vetëm për 60 ditë, nga Gjiri Persik drejt Detit të Omanit dhe anasjelltas. Trafiku i anijeve tregtare do të nisë menjëherë dhe, duke e marrë parasysh nevojën për heqjen e pengesave teknike dhe ushtarake, si dhe çminimin nga Republika Islamike e Iranit, do të rivendoset brenda 30 ditësh. Republika Islamike e Iranit do të zhvillojë dialog me Sulltanatin e Omanit për të përcaktuar administrimin e ardhshëm dhe shërbimet detare në Ngushticën e Hormuzit, në diskutim me shtetet e tjera bregdetare të Gjirit Persik, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të zbatueshme dhe të drejtat sovrane të shteteve bregdetare të Ngushticës së Hormuzit.
6 — Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrin përsipër, së bashku me partnerët rajonalë, të zhvillojnë një plan përfundimtar, të dakorduar reciprokisht, me të paktën 300 miliardë dollarë për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Republikës Islamike të Iranit. Mekanizmi për zbatimin e këtij plani do të finalizohet si pjesë e marrëveshjes përfundimtare brenda 60 ditësh. Të gjitha licencat, përjashtimet dhe lejet e nevojshme për transaksionet financiare përkatëse do të jepen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
7 — Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrin përsipër të heqin të gjitha llojet e sanksioneve kundër Republikës Islamike të Iranit, përfshirë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, rezolutat e Bordit të Guvernatorëve të IAEA-s dhe të gjitha sanksionet e njëanshme amerikane, primare dhe sekondare, sipas një kalendari të dakorduar si pjesë e marrëveshjes përfundimtare. Republika Islamike e Iranit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohin rëndësinë kritike të çështjes së heqjes së sanksioneve dhe shprehin synimin e tyre për t’i trajtuar menjëherë këto çështje në negociata, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të ndërsjellë.
8 — Republika Islamike e Iranit rikonfirmon se nuk do të sigurojë dhe nuk do të zhvillojë armë bërthamore. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika Islamike e Iranit kanë rënë dakord të zgjidhin çështjen e rezervave të materialit të pasuruar përmes një mekanizmi që do të dakordohet reciprokisht, në përputhje me kalendarin e përmendur në paragrafin shtatë, ku metodologjia minimale do të jetë hollimi në vend nën mbikëqyrjen e IAEA-s. Të dyja palët kanë rënë dakord gjithashtu ta diskutojnë çështjen e pasurimit dhe çështje të tjera të dakorduara reciprokisht lidhur me nevojat bërthamore të Republikës Islamike të Iranit, mbi bazën e një kornize të kënaqshme që do të dakordohet në marrëveshjen përfundimtare. Marrëveshja përfundimtare do të konfirmojë dispozitat e këtij paragrafi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika Islamike e Iranit njohin rëndësinë kritike të çështjeve bërthamore të përmendura më sipër dhe shprehin synimin e tyre për t’i trajtuar menjëherë këto çështje në negociata, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të ndërsjellë.
9 — Në pritje të marrëveshjes përfundimtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika Islamike e Iranit bien dakord të ruajnë status quo-në. Republika Islamike e Iranit do të ruajë gjendjen aktuale të programit të saj bërthamor dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të vendosin sanksione të reja dhe nuk do të dislokojnë forca shtesë në rajon.
10 — Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrin përsipër që, menjëherë pas nënshkrimit të këtij Memorandumi Mirëkuptimi dhe deri në heqjen e sanksioneve, Departamenti amerikan i Thesarit të lëshojë përjashtime për eksportin e naftës bruto iraniane, produkteve të naftës dhe derivateve, si dhe të gjitha shërbimeve të lidhura me to, përfshirë transaksionet bankare, sigurimet, transportin dhe të tjera.
11 — Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrin përsipër të bëjnë plotësisht të disponueshme për përdorim fondet dhe asetet e ngrira ose të kufizuara të Republikës Islamike të Iranit. Pas zbatimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika Islamike e Iranit do të bien dakord reciprokisht mbi procedurat për lirimin e këtyre fondeve gjatë negociatave. Këto fonde, qoftë të mbajtura në llogarinë origjinale, qoftë të transferuara, do të bëhen plotësisht të përdorshme për pagesa ndaj çdo përfituesi përfundimtar të caktuar nga Banka Qendrore e Republikës Islamike të Iranit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrin përsipër të lëshojnë të gjitha licencat dhe autorizimet e nevojshme përkatëse.
12 — Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika Islamike e Iranit bien dakord që të krijohet një mekanizëm ekzekutiv për të monitoruar zbatimin e suksesshëm të këtij Memorandumi Mirëkuptimi dhe respektimin e ardhshëm të marrëveshjes përfundimtare.
13 — Pas nënshkrimit të këtij Memorandumi Mirëkuptimi, dhe në varësi të fillimit të zbatimit të paragrafëve 1, 4, 5, 10 dhe 11 të këtij Memorandumi, si dhe vazhdimit të zbatimit të këtyre masave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika Islamike e Iranit do të nisin negociatat për marrëveshjen përfundimtare ekskluzivisht mbi paragrafët e tjerë.
14 — Marrëveshja përfundimtare do të miratohet nga një rezolutë detyruese e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.




















