| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Fico: Sllovakia mbështet ambicien e Malit të Zi që anëtarësimi në BE të bëhet deri në vitin 2028
Millatoviq dhe Fico diskutuan forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes dy vendeve, investimet dhe projektet konkrete, duke i vazhduar bisedimet e nisura në qershor gjatë Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat.
Fico: Sllovakia mbështet ambicien e Malit të Zi që anëtarësimi në BE të bëhet deri në vitin 2028
Fico: Sllovakia mbështet ambicien e Malit të Zi që anëtarësimi në BE të bëhet deri në vitin 2028/ Foto: Jakov Milatovic/X

Sllovakia e mbështet plotësisht ambicien e Malit të Zi që deri në vitin 2028 të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, deklaroi të mërkurën në Bratisllavë kryeministri sllovak Robert Fico pas takimit me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq.

Fico vlerësoi se Mali i Zi ka një mundësi historike për ta përfunduar me sukses procesin e anëtarësimit dhe konfirmoi mbështetjen e Sllovakisë për iniciativën “28 deri në 2028”, sipas së cilës Mali i Zi do të bëhej anëtari i 28-të i BE-së.

Millatoviq dhe Fico diskutuan forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes dy vendeve, investimet dhe projektet konkrete, duke i vazhduar bisedimet e nisura në qershor gjatë Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat.

“Mali i Zi është anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian. Synimi ynë është që deri në vitin 2028 të bëhemi anëtari i 28-të. Sot jemi më afër këtij synimi se kurrë më parë dhe tani është e rëndësishme ta ruajmë ritmin e reformave dhe ta përfundojmë procesin e negociatave”, tha Millatoviq.

Ai e falënderoi Ficon për mbështetjen e vazhdueshme ndaj rrugës evropiane të Malit të Zi, duke theksuar se marrëdhëniet politike duhet të forcohen më tej përmes investimeve, lidhjeve të biznesit dhe projekteve të përbashkëta.

Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ekonomik, përfshirë energjetikën, infrastrukturën e transportit, turizmin, bujqësinë, sektorin e IT-së dhe digjitalizimin.

“Mali i Zi ka nevojë për investime cilësore, njohuri të reja dhe partnerë të gatshëm për projekte afatgjata. Është e rëndësishme që bisedimet politike të shoqërohen me hapa konkretë të mëtejshëm”, tha Millatoviq.

Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu vazhdimin e bashkëpunimit pas forumit të biznesit Mali i Zi-Sllovaki, të mbajtur vitin e kaluar në Podgoricë, ku morën pjesë më shumë se 30 kompani sllovake.

U shqyrtua edhe mbledhja e ardhshme e Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik, e cila pritet t'i lidhë më tej institucionet dhe bizneset e të dyja vendeve.

Millatoviq dhe Fico e vlerësuan pozitivisht linjën e drejtpërdrejtë ajrore mes Podgoricës dhe Bratisllavës, duke theksuar rëndësinë e saj për zhvillimin e turizmit, kontakteve të biznesit dhe lidhjeve të tjera.

“Lidhja e drejtpërdrejtë ajrore mes Podgoricës dhe Bratisllavës tashmë po kontribuon në forcimin e lidhjeve turistike, të biznesit dhe të tjera mes dy vendeve”, tha Millatoviq.

Fico përshëndeti gjithashtu planin e Malit të Zi për hapjen e një ambasade në Bratisllavë, duke vlerësuar se kjo do të kontribuojë më tej në bashkëpunimin e drejtpërdrejtë mes dy shteteve.