Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, me rastin e Ditës së Evropës ka riafirmuar përkushtimin e Shqipërisë ndaj rrugës evropiane, duke theksuar se Evropa për Shqipërinë përfaqëson një zgjedhje vlerash dhe jo vetëm një destinacion politik.
Në një postim në platformën amerikane X, Hoxha shpërndau një video të publikuar nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, duke theksuar se Dita e Evropës është dëshmi e rëndësisë së paqes, unitetit, solidaritetit dhe bashkëpunimit.
“Evropa u ndërtua mbi bindjen se dialogu është më i fortë se ndarjet, solidariteti më i fortë se frika dhe shpresa më e fortë se konflikti”, shkroi Hoxha.
Ai shtoi se, për Shqipërinë, Evropa përfaqëson demokracinë, lirinë, dinjitetin, sundimin e ligjit dhe përgjegjësinë e përbashkët për një të ardhme më të mirë.
Ai theksoi se Dita e Evropës është gjithashtu një festë e brezit të ri, duke vlerësuar ëndrrat, talentin, energjinë dhe besimin e të rinjve për një Evropë më të hapur, më të drejtë dhe më të bashkuar.
“Shqipëria mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane, sepse e ardhmja jonë i përket familjes evropiane”, tha ai, duke uruar në fund: “Gëzuar Ditën e Evropës! Është edhe Dita e Shqipërisë”.






















