Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u mbajt Sesioni i Grupit Parlamentar Ndërpartiak në Mbështetje të Platformës së Krimesë, kushtuar shënimit të 35-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës.
Në sesion morën fjalë nënkryetari i Kuvendit, Antonijo Milloshoski, ambasadorja e Ukrainës, Larisa Dir, deputeti Oliver Spasovski, si përfaqësues i Grupit Parlamentar Ndërpartiak në Mbështetje të Platformës së Krimesë, ambasadori i Francës, Kristof Le Rigoler, ambasadorja e Gjermanisë, Petra Dreksler, ambasadorja e Lituanisë, Vilma Dambrauskiene dhe u.d. ambasadori i Polonisë, Mariush Brimora.
Nënkryetari Milloshoski i shprehu urime Ukrainës dhe popullit ukrainas me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke theksuar se kjo ditë është simbol i lirisë, sovranitetit dhe i së drejtës së çdo populli për të përcaktuar në mënyrë të pavarur të ardhmen e tij.
"Mbështetja që vendi ynë ia ofron Ukrainës nuk është vetëm diplomatike, por mbi të gjitha morale. Çdo vend duhet të ketë mundësinë të zgjedhë në mënyrë të pavarur të ardhmen e tij dhe partnerët e tij", theksoi Milloshoski.
Ambasadorja Dir e theksoi rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën, duke theksuar se solidariteti nga partnerët ndërkombëtarë është forcë shtesë për popullin ukrainas. Ajo theksoi se agresioni rus merr jetë të pafajshme çdo ditë dhe përbën kërcënim për rendin e sigurisë në Evropë.
Pas mbarimit të Sesionit, në Sallën e Kristaltë të Kuvendit u hapën dy ekspozita - "Kthimi i kujtesës së Hersonit" dhe "Trashëgimia botërore e Ukrainës nën mbrojtjen e UNESKO-s". Në kuadër të evenimentit u prezantua edhe përkthimi në gjuhën maqedonase i romanit të Vasil Shklarit "Korbi i zi: I mbeturi".





















