Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, vlerëson se ngecja në integrimin evropian të vendit kryesisht vjen si pasojë e mungesës së vullnetit politik te disa vende fqinje, dhe jo e problemeve që lidhen me realitetin.
Siljanovska-Davkova, gjatë një paneli në Samitin e Zgjerimit të Euronews 2026, kujtoi se Maqedonia e Veriut në vitin 2018 e ndryshoi emrin me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës.
"Tani duhet ta ndryshojmë sërish Kushtetutën. Jemi kampionë në ndryshimin e Kushtetutës - 36 herë. Shumica e amendamenteve janë imponuar", tha ajo.
"Legjitimiteti im buron nga qytetarët dhe u përket atyre. Si mund t'i premtoj BE-së se do ta ndryshojmë Kushtetutën? Unë nuk jam monarke absolute", deklaroi
Siljanovska-Davkova lidhur me pritshmëritë e Bashkimit Evropian (BE) për ndryshimet kushtetuese.
Ajo u pyet edhe se çfarë mendojnë sot qytetarët, pas premtimeve shumëvjeçare për një të ardhme evropiane, dhe nëse ende besojnë në të. Siljanovska-Davkova theksoi se 80 për qind e qytetarëve janë kundër ndryshimeve kushtetuese, ndërsa 70 për qind mbështesin integrimin në BE.
"Maqedonia e Veriut historikisht, kulturalisht dhe gjeografikisht ka qenë gjithmonë pjesë e Evropës dhe se meriton të jetë pjesë e saj edhe politikisht", tha ajo. Sipas saj, vendi e ka harmonizuar plotësisht politikën e tij të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së.
Siljanovska-Davkova mbështeti integrimin gradual në BE, duke theksuar se qasja në tregun e përbashkët, digjitalizimi dhe mekanizmat e tjerë të BE-së do t'u mundësonin vendeve kandidate të mos ndiheshin të izoluara nga proceset evropiane.
Duke iu referuar sfidave të sigurisë, veçanërisht atyre që vijnë nga Rusia, ajo tha se roli i vendit është roli i NATO-s. Sa u përket marrëdhënieve me Bullgarinë, Siljanovska-Davkova theksoi se zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut, por se ai duhet të bazohet në barazinë mes bashkëbiseduesve.





















