| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Nisin punimet për fazën e dytë të autostradës Shkup-Bllacë në gjatësi prej 10,5 kilometrash
Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, si dhe zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të projektit dhe partnerë ndërkombëtarë të tij.
Nisin punimet për fazën e dytë të autostradës Shkup-Bllacë në gjatësi prej 10,5 kilometrash
Nisin punimet për fazën e dytë të autostradës Shkup-Bllacë në gjatësi prej 10,5 kilometrash/ AA

Sot nisën punimet për fazën e dytë të autostradës Shkup-Bllacë, në gjatësi prej 10,5 kilometrash, e cila pritet të përfundojë brenda katër vitesh dhe të lidhet me 1,5 kilometrat e autostradës tashmë të ndërtuar pranë pikës kufitare Bllacë.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të projektit dhe partnerë ndërkombëtarë të tij.

Në fjalën e tij para të pranishmive, kryeministri Mickoski e cilësoi projektin si historik, duke shtuar se qeveria e udhëhequr nga ai e ka pasur prioritet realizimin e tij.

"Për qytetarët e dy vendeve do të thotë ekonomi më e mirë, lidhshmëri më e mirë, transport më i mirë dhe shkëmbim më i mirë", tha Mickoski, duke thënë se ky projekt, i cili "po realizohet pas më shumë se 20 vitesh", paraqet prioritet strategjik për vendin.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Kurti, tha se sot po hidhen themelet e "një lidhjeje të re dhe moderne midis dy vendeve", duke shtuar se projekti do "ta forcojë shumë më tepër lidhjen infrastrukturore midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut".

"Por, rëndësia e saj shkon përtej infrastrukturës. Përveç se do të shkurtohet distanca, do të lehtësohet lëvizja dhe do të krijohen mundësi të reja bashkëpunimi për qytetarët dhe ekonomitë e dy vendeve tona", deklaroi Kurti.

Siç njoftoi Koce Trajanovski, drejtor i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, bartës kryesor i projektit, në kuadër të punimeve parashikohet ndërtimi i pesë tuneleve, tetë urave, 11 nënkalimeve, katër galerive dhe nëntë mureve mbajtëse.

Financimi i projektit sigurohet përmes një huaje prej 167,6 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), një granti prej 30,82 milionë eurosh nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, si dhe mjeteve nga buxheti i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore për shpronësimin.

Sipas Trajanovskit, autostrada do ta shkurtojë kohën e udhëtimit, do të rrisë sigurinë në komunikacion dhe do t'i ulë kostot e mirëmbajtjes së automjeteve. Rruga ekzistuese do të mbetet si lidhje alternative për banorët lokalë dhe përdoruesit e tjerë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë