| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Shefi i ushtrisë izraelite viziton trupat në jug të Sirisë mes shkeljeve të vazhdueshme
“Zamir shoqërohej nga oficerë të lartë, mori një informim mbi situatën e sigurisë dhe u takua me forcat rezerviste që operojnë në këtë zonë”, tha gazeta izraelite.
Shefi i ushtrisë izraelite viziton trupat në jug të Sirisë mes shkeljeve të vazhdueshme
Shefi i ushtrisë izraelite viziton trupat në jug të Sirisë mes shkeljeve të vazhdueshme/ AA

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, ka vizituar trupat që operojnë në jug të Sirisë, një ditë pasi Izraeli kreu sulme ndaj Sirisë, përfshirë një sulm ndaj bazës ajrore ushtarake Abu al-Duhur.

E përditshmja izraelite Yedioth Ahronoth raportoi se Zamir vizitoi këtë mëngjes ushtarët në jug të Sirisë.

“Zamir shoqërohej nga oficerë të lartë, mori një informim mbi situatën e sigurisë dhe u takua me forcat rezerviste që operojnë në këtë zonë”, tha gazeta izraelite.

Ndërkohë, agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA raportoi se Forca e OKB-së për Vëzhgimin e Marrëveshjes për Shkëputjen e Forcave (UNDOF) zhvilloi një vizitë në terren në qytetin Al-Rafid, në zonat rurale jugore të Quneitras, për të vlerësuar situatën dhe për të ndjekur pasojat e shkeljeve dhe inkursioneve të përsëritura izraelite.

SANA raportoi se anëtarët e delegacionit të UNDOF-it dëgjuan një raportim të detajuar nga banorët vendas lidhur me kushtet e jetesës dhe situatën në terren si pasojë e inkursioneve izraelite në zonë.

Më herët, sipas televizionit shtetëror sirian, forcat izraelite bastisën një qytet në provincën siriane Quneitra me më shumë se 100 efektivë dhe 15 automjete dhe rrëmbyen dy persona.

Në fund të vitit 2024, Izraeli mori nën kontroll zonën tampon siriane, duke i dhënë fund de fakto Marrëveshjes së Shkëputjes së Forcave të vitit 1974.

Në orët e para të ditës së djeshme, avionët luftarakë izraelitë kryen tetë sulme ajrore ndaj pistës së bazës ajrore ushtarake të braktisur Abu al-Duhur në Idlib, duke shkaktuar dëme materiale në infrastrukturën e saj.

Mbëmë, Siria tha në dy letra drejtuar OKB-së dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së se sulmet e vazhdueshme izraelite, përfshirë sulmet ajrore, inkursionet dhe rrëmbimet, “minojnë përpjekjet për stabilizim dhe kërcënojnë rajonin me tensione të mëtejshme”.

Siria rikonfirmoi në këto letra “qëndrimin e saj të vendosur për të kërkuar ndalimin e menjëhershëm të sulmeve izraelite, detyrimin e Izraelit për të zbatuar Marrëveshjen e Shkëputjes së Forcave të vitit 1974 dhe tërheqjen e plotë nga territoret ku ka hyrë pas 8 dhjetorit 2024, si dhe nga Golanet siriane të pushtuara”.

Para rënies së regjimit të Bashar al-Assadit në fund të vitit 2024, Izraeli ka kryer shpesh sulme ndaj pozicioneve në Siri, për të cilat ka pretenduar se ishin të lidhura me forcat e mbështetura nga Irani.

Që nga largimi i Assadit, Izraeli ka zgjeruar ndjeshëm sulmet e tij, duke përfshirë depot e armëve dhe pozicionet strategjike ushtarake në të gjithë vendin.