Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka realizuar takim zyrtar në Lubjanë me kryetarin e Kuvendit të Sllovenisë, Zoran Stevanoviq.
Sipas një njoftimi të Kuvendit, në takim janë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Sllovenisë, me theks të veçantë në nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Stevanoviq ka theksuar përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe ka rikonfirmuar mbështetjen e fuqishme të Sllovenisë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.
Nga ana e tij, Gashi ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj procesit të reformave dhe integrimit evropian, duke theksuar sfidat dhe rëndësinë e avancimit të këtij procesi për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit dhe rajonit.
Bashkëbiseduesit kanë vlerësuar gjithashtu rolin e studentëve si një urë e rëndësishme lidhëse ndërmjet dy vendeve, që kontribuon në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane.
Dy kryeparlamentarët janë pajtuar për forcimin e mëtejshëm të partneritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.






















