| Albanian
Opinion
BOTA
6 minuta leximi
Srebrenica, Ratko Mlladiq dhe çfarë na tregojnë krimet e tij të luftës për gjenocidin në Gazë?
Teksa dënon “Kasapin e Bosnjës”, bota nuk mund ta kthejë kokën mënjanë nga ajo që po ndodh në Palestinë. Kriminelët izraelitë të luftës duhet të vihen para drejtësisë përpara se të jetë tepër vonë.
Srebrenica, Ratko Mlladiq dhe çfarë na tregojnë krimet e tij të luftës për gjenocidin në Gazë?
Srebrenica, Ratko Mlladiq dhe çfarë na tregojnë krimet e tij të luftës për gjenocidin në Gazë?

Vdekja e Ratko Mlladiqit, gjeneralit famëkeq të serbëve të Bosnjës dhe kriminelit të dënuar të luftës, shënon fundin e një prej kapitujve më të errët në histori.

Megjithatë, vdekja e tij nuk e mbyll dritaren e dhimbjes dhe vuajtjes për mijëra boshnjakë – shumë prej tyre të mbijetuar, disa të tjerë familjarë të atyre që u vranë nga “Kasapi i Bosnjës.

Dhe mbi të gjitha, vdekja e Mlladiqit i vë në fokus të mprehtë vuajtjet e palestinezëve dhe krimet e luftës të kryera nga shteti i Izraelit përgjatë tri viteve të fundit. Si dhe pasivitetin e një bote që refuzon ta shohë gjenocidin që po shpaloset mu përpara syve të saj.

Për ta kuptuar Mlladiqin – ai vdiq në Hagë në moshën 84-vjeçare teksa vuante një dënim të përjetshëm për krimet e tij të luftës – ne duhet ta kthejmë vështrimin pas në korrikun e vitit 1995, kur ai udhëhoqi një grup ushtarësh serbë të Bosnjës drejt qytezës së Srebrenicës me synimin për ta pastruar atë nga popullsia joserbe.

Sipas gjetjeve të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), me të hyrë në qytezë, ai deklaroi: "ia falim këtë qytet popullit serb si dhuratë", me të cilën nënkuptonte largimin me forcë të boshnjakëve dhe kroatëve nga vendi.

Më vonë, në prani të mediave ndërkombëtare, ai theksoi nevojën për ta eliminuar popullatën joserbe të Bosnjës, qoftë përkohësisht ose përgjithmonë.

Mlladiqi nuk ishte thjesht një gjeneral monstruoz, por kryearkitekti i spastrimit etnik në Bosnjë, i dënuar për shumë krime, përfshirë gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Si komandant i forcave serbe të Bosnjës, ai e urdhëroi rrethimin e zonave boshnjake të shpallura të sigurta nga OKB-ja (Bihaq, Gorazhde, Srebrenicë, Zhepa dhe Sarajevë), mori peng ushtarë të OKB-së dhe bllokoi Planin e Paqes Vance-Owen.

Ai gjithashtu e organizoi torturën sistematike dhe ekzekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në kampet e përqendrimit si Omarska, Manjaça, Keraterm dhe Tërnopolje.

Roli i Mlladiqit në orkestrimin e gjenocidit të Srebrenicës, në të cilin të paktën 8.372 burra dhe djem boshnjakë u ndanë nga familjet e tyre, u transportuan dhe u vranë nga ushtria serbe e Bosnjës, është i mirëdokumentuar dhe është konfirmuar si nga TPNJ-ja, ashtu edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Pavarësisht procedurave të gjera gjyqësore, gjetjeve të TPNJ-së dhe dëshmive të të mbijetuarve që detajonin dhe vërtetonin rolin e tij parësor në gjenocid, Mlladiqi mbeti në arrati për gati 16 vjet, duke lëvizur në vende të ndryshme brenda Serbisë.

Përfundimisht, ai u ndalua në veri të Serbisë, u padit nga Tribunali Ndërkombëtar dhe u transferua në Hagë. Gjykata e shpalli atë fajtor për të paktën 11 akuza, përfshirë dy pika për gjenocid.

Por, ai nuk e pranoi fajësinë për asnjërën prej tyre dhe e mohoi paturpësisht gjenocidin në Srebrenicë.

Plagë që nuk u shëruan kurrë

Rasti i Mlladiqit ka qenë një nga rastet më domethënëse para TPNJ-së.

Ai ngre pyetje serioze mbi funksionimin dhe kapacitetin e sistemeve juridike, veçanërisht të TPNJ-së dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GjPN).

Ajo çka e demaskon sistemin gjyqësor global është fakti se fati i mijëra njerëzve që u zhdukën gjatë luftës mbetet ende i panjohur.

Kësisoj, hendeku midis sistemit ligjor dhe përvojave të jetuara të të mbijetuarve vazhdon, ndonëse kapja dhe gjykimi i tij shënuan një sukses të madh për tribunalin.

Disa të mbijetuar të Luftës së Bosnjës dhe të afërm të viktimave të Srebrenicës janë shprehur se gjetën ngushëllim në vdekjen e Mlladiqit, ndërsa për disa të tjerë mezi kishte rëndësi, pasi ajo ua rizgjon kujtimet traumatike të luftës.

Gratë që përjetuan mizoritë më të rënda, veçanërisht abuzimin seksual, po përballen ende me pasoja psikologjike afatgjata, të cilat ndikojnë negativisht në jetën e tyre sot.

Sipas studimeve, shumë të mbijetuar vazhdojnë të vuajnë nga sulmet e panikut, makthet dhe ankthi i vazhdueshëm për shkak të ripërjetimit të përvojave të tyre traumatike.

Një studim tregon se të paktën 57 për qind e grave në Bosnjë që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës vazhdojnë t’i përmbushin kriteret klinike për çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD) dhe po luftojnë për t'u pajtuar me ngjarjet e së kaluarës madje edhe pas disa dekadash.

Dhuna seksuale përdoret shpesh si armë lufte, e përdorur nga autorët për t'u hakmarrë dhe për t’i ndëshkuar, për t’i terrorizuar e për t’i poshtëruar viktimat e tyre.

Në kontekstin boshnjak, një dhunë e tillë nuk kufizohej vetëm te gratë dhe vajzat e reja, por djemtë e rinj dhe burrat e moshuar ishin gjithashtu ndër vuajtësit më të mëdhenj, pre e formave më të rënda të dhunës seksuale.

Shumë të mbijetuar pretendojnë se vdekja e Mlladiqit nuk mund ta kompensojë shkallën e humbjes dhe vuajtjes që ai ka orkestruar, dhe për këtë arsye nuk u ofron atyre asnjë lehtësim.

Mësime për botën

Ndërsa drejtësia nuk kërkon domosdoshmërisht vdekje për çdo vrasje të padrejtë, ajo kërkon fundin e urrejtjes dhe një kërkimfalje, diçka që nuk vërehet në rastin e asnjë krimineli të dënuar lufte, shumë prej të cilëve në vend të kësaj shfaqin pakënaqësi e mëri të thellë ndaj viktimave.

Më shumë se 30 vjet pas përfundimit të luftës së Bosnjës, të mbijetuarit ende presin drejtësi dhe llogaridhënie.

Përvojat dhe traumat e tyre ndikohen si nga ngjarjet e së kaluarës, ashtu edhe nga situatat e tanishme, veçanërisht mohimi i gjenocidit.

Retorika e mohimit të gjenocidit është aq e përhapur në Ballkan, saqë shpesh ndërthuret me narrativa toksike, si mohimi, revizionizmi dhe triumfalizmi.

Narrativa të tilla përforcohen kur kriminelë të dënuar të luftës si Ratko Mlladiqi, synimi i të cilit ishte krijimi i një Serbie etnikisht të pastër duke zhdukur myslimanët dhe kroatët, shpërblehen dhe lavdërohen.

Mizoritë e tmerrshme që po shpalosen para syve tanë në Gazë kanë shumë ngjashmëri me ato që ndodhën në Srebrenicë mbi tridhjetë vjet më parë.

Nga bombardimi i infrastrukturës civile dhe përdorimi i përdhunimit si mjet lufte, deri te bllokimi i konvojeve të ndihmave humanitare, çdo incident po përsëritet.

E megjithatë, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, qëndron në heshtje dhe mosveprim.

Në realitetin e zymtë, ajo çka mundëson humbjen e jetëve njerëzore është si pasiviteti, ashtu edhe padrejtësia e atyre që mund të parandalojnë brutalitete të tilla.

Prandaj, mësimet e nxjerra nga përvojat e mëparshme nuk duhet të harrohen dhe as të mbeten të mbyllura në librat e historisë, ngjarjet përkujtimore ose vendet memoriale; përkundrazi, ato duhet t'i shërbejnë qëllimit për të ndaluar ndodhjen e gjenocideve kudo në Tokë.

Bota duhet të veprojë tani për të mbështetur ligjin ndërkombëtar dhe të drejtat e njeriut dhe për t'i mbajtur autorët përgjegjës për krimet e tyre. Kjo do të ndihmojë në thyerjen e ciklit të mosndëshkimit dhe hakmarrjes.


BURIMI:TRT World and Agencies