Ky 6 shtator shënon dy vite nga dita kur Aysenur Ezgi Eygi, një aktiviste turko-amerikane 26-vjeçare, u qëllua në kokë nga një snajper izraelit teksa po vëzhgonte një protestë paqësore kundër zgjerimit të vendbanimeve ilegale në Beita, në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Që nga ajo kohë, familja e saj e cila e ka varrosur atë në Aydin të Türkiyes, ka gjetur mënyra për të mbajtur gjallë kujtimin e saj dhe ka biseduar me dhjetëra ligjvënës në përpjekje për t’i vënë para përgjegjësisë ata që e shkaktuan këtë tragjedi.
Ata vazhdojnë të kërkojnë të njëjtën gjë: një hetim të pavarur për vrasjen e saj, identifikimin e ushtarit që e qëlloi atë dhe përgjegjësi për atë që ndodhi.
Ushtria izraelite ka pranuar se një nga ushtarët e saj ka qëlluar në zonën ku po qëndronte Eygi. Mirëpo, hetimi i saj paraprak arriti në përfundimin se ajo ka gjasë të jetë goditur "tërthorazi dhe pa dashje" ndërsa trupat po i përgjigjeshin një "trazire të dhunshme".
Asnjë ushtar nuk është akuzuar.
Për familjen e Eygi, ky shpjegim kurrë nuk ka është marr parasysh si një llogaridhënie. Dy vjet më vonë, bashkëshorti i saj, Hamid Ali, thotë se frustrimi vetëm sa vjen e shtohet.
“Ende nuk kemi asnjë rezultat të ndonjë hetimi, qoftë nga qeveria izraelite apo nga ndonjë burim tjetër”, thotë Ali për TRT World.
“Qeveria e ShBA-së nuk ka qenë e hapur për të hetuar dhe nuk ka komunikuar me ne për asnjë përditësim të rastit të saj apo ka shprehur ndonjë vullnet për ta hetuar atë ose për të detyruar izraelitët për të mbajtur përgjegjësi për vrasjen e një prej qytetarëve të vet”, shpjegon ai.
Megjithatë, Ali thotë se viti i kaluar ka sjellë edhe diçka tjetër: ndjenjën se Eygi nuk është harruar.
“Kemi parë kaq shumë mbështetje nga komuniteti ynë në Seattle dhe në të gjithë ShBA-në, dhe është me të vërtetë domethënëse ta shohësh këtë, madje edhe pas dy vitesh”, thotë ai.
Uashingtoni ende nuk ka kryer hetime
Qëndrimi i Uashingtonit ka mbetur gjerësisht i paprekur përgjatë administratave.
Presidenti i atëhershëm i ShBA-së, Joe Biden, e përshkroi vdekjen e Eygi si një "gabim tragjik".
Në dhjetor 2024, Sekretari i atëhershëm i Shtetit, Antony Blinken, i tha familjes se Uashingtoni po priste që Izraeli ta përfundonte hetimin e tij.
Ky qëndrim nuk ka ndryshuar as nën administratën Trump.
Brad Parker nga Qendra për Të Drejtat Kushtetuese, pjesë e ekipit ligjor të familjes, thotë se asnjë agjenci federale e ShBA-së, përfshirë Departamentin e Drejtësisë apo FBI-në, nuk ka hapur një hetim për vrasjen e Eygi, përkundra juridiksionit të tyre për të hetuar vrasjen e një qytetari me kombësi amerikane jashtë vendit.
Në javët pas vdekjes së saj, më shumë se 100 anëtarë të Kongresit nënshkruan letra ku kërkohej një hetim nga ShBA-ja. Familja dhe mbështetësit e saj kanë vazhduar t'u bëjnë presion ligjvënësve për të ndërmarrë ndonjë veprim, por Uashingtoni ende nuk ka hapur hetimin që ata kanë kërkuar.
Me mungesën e një hetimi federal, familja i është drejtuar gjithashtu ligjvënësve në shtetin e origjinës së Eygi.
“Ne po shtyjmë për një projekt-ligj, një rezolutë të përbashkët (joint memorial), që përshkruan se si u vra Aysenur dhe nevojën për llogaridhënie dhe hetim”, thotë Ali.
Masa do t'i kërkonte zyrtarisht qeverisë federale dhe Presidentit Trump të hetonin vrasjen e Eygi, por familja thotë se ende nuk ka marrë një përgjigje ose të shohë ndonjë përparim në këtë drejtim.
“Kemi parë gjenocidin e fëmijëve, burrave dhe grave në Gaza. Kemi parë vrasje brutale nga kolonët në Bregun Perëndimor të pushtuar, me ndihmën e ushtrisë. Kemi parë gruan time të qëlluar në kokë, pa asnjë provokim dhe arsye të pashpjegueshme”, thotë Ali.
“Është e vështirë të kuptohet se çfarë saktësisht duhet të ndodhë që kjo qeveri të zgjohet dhe të kërkojë llogari nga qeverinë izraelite, jo vetëm për vrasjen e burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm, por edhe për vrasjen e qytetarëve të vet, pa asnjë kundërshtim apo ndryshim në marrëdhënie”, shton ai.
Ndërsa Uashingtoni ka refuzuar të hapë hetimin e tij, Türkiye e ka ndjekur çështjen përmes kanaleve të saj ligjore.
Kryeprokurori i Ankarasë hapi një hetim penal brenda pak ditësh nga vrasja e Eygi, ndërsa Ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Yilmaz Tunc, tha se Türkiye kishte mjaftueshëm dëshmi, përfshirë pamje me video, për të kërkuar fletëarreste ndërkombëtare dhe një Njoftim të Kuq të Interpol-it për personelin izraelit të përfshirë.
Që nga ajo kohë, rasti është bërë pjesë e përpjekjeve më të gjera ligjore të Türkiyes kundër zyrtarëve izraelitë.
Së fundmi, Ankaraja kërkoi një Njoftim të Kuq për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu si pjesë e çështjes vendase përpara Gjykatës së 11-të të Krimeve të Rënda në Istanbul, lidhur me ndalimin e Flotiljes Global Sumud.
Türkiye gjithashtu ka kërkuar ta përfshijë vrasjen e Eygi në procedurat e GjKN-së (ICC) lidhur me Gazën dhe i është bashkuar çështjes së gjenocidit të Afrikës së Jugut kundër Izraelit në GjND (ICJ).
Këto përpjekje i kanë dhënë familjes një tjetër rrugë për llogaridhënie, edhe pse ende nuk kanë sjellur ende akuza penale kundër ushtarit që qëlloi Eygi.
Një çështje që shkon përtej Eygi
Familja ka vazhduar gjithashtu të nxisë për veprime më afër shtëpisë, në Shtetin e Uashingtonit.
Ligjvënësit e shtetit paraqitën rezoluta të përbashkëta shoqëruese, Senate Joint Memorial 8014 dhe House Joint Memorial 4010, duke i bërë thirrje qeverisë federale ta hetojë vrasjen e saj në mënyrë të pavarur. Masat sollën dëgjime në Komitetin e Ligjit dhe Drejtësisë të shtetit në fillim të këtij viti.
Familja ka bashkëpunuar me fushatën "For Aysenur", CAIR-WA dhe Fondacionin Rachel Corrie, duke bërë një lidhje mes Eygi dhe Rachel Corrie, një tjetër aktiviste nga Uashingtoni e vrarë nga ushtria izraelite në Gazë në vitin 2003.
Familja e Corrie kaloi vite duke kërkuar llogaridhënie, por nuk pa akuza penale të ngritura kundër personelit izraelit të përfshirë.
“Nga njëra anë, është gjë e mirë që kjo tragjedi i lidhi dy familjet tona. Unë i konsideroj anëtarët e familjes Corrie miq tanë të ngushtë. Kjo është një gjë e bukur”, thotë Ali.
“Por në të njëjtën kohë, do të doja të mos kishim pasur kurrë një arsye për t'u takuar në këtë mënyrë. Është vërtet e trishtueshme që me gjithë advokimin e tyre gjatë dy dekadave të fundit nuk ka ndryshuar asgjë”.
Sipas Ali, Aysenur ndihej në të njëjtën mënyrë si Rachel Corrie.
“Ajo u vra në të njëjtën mënyrë siç u vra Rachel. Dhe ende nuk ka drejtësi për asnjërën prej tyre”, thotë Ali.
“Sa i përket pikëllimit tim, familja Corrie na ndihmoi faktikisht ta kuptonim këtë që në fillim. Ata na thënë se nuk bëhet kurrë më e lehtë, madje as pas njëzet vitesh. Ti thjesht bëhesh më i fortë dhe më i aftë për ta mbartur dhimbjen”, shton ai.
Dy vite pas vrasjes së Eygi, Ali do ta shënojë përvjetorin duke udhëtuar në Didim të Aydinit për të vizituar varrin e saj.
Ali thotë se kërkesa e familjes mbetet e njëjtë: drejtësi.
“Drejtësi do të thotë vënia e ushtarit para përgjegjësisë për vrasjen e Aysenurit, personit që tërhoqi këmbëzën, personit që dha urdhrin, personit që shkroi politikat… të gjithë rrugës lart në zinxhirin komandues, deri te zyrtarët e lartë që mbështesin këtë lloj veprimi ose që dështojnë të marrin përgjegjësi për të”, thotë Ali.
Dhe për Ali, llogaridhënia për Eygi është vetëm një pjesë e asaj që do të thotë drejtësi.
“Drejtësia e vërtetë përfshin llogaridhënien për çdo palestinez të vetëm që është vrarë në të njëjtën mënyrë, ose më keq. Ka mijëra histori në Palestinë që nuk do t'i dimë kurrë, aq më tepër në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Gaza saqë ne s’mund t'i dimë të gjitha”.
“Përfundimisht, nuk mund të ketë drejtësi të vërtetë deri sa Palestina të çlirohet”, shton ai.




















