Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka deklaruar se Shqipëria mbështet lirinë e lundrimit, stabilitetin rajonal, rrugët tregtare të hapura dhe të sigurta.
Ministri Hoxha ka zhvilluar një takim virtual me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani dhe ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Gordan Grliq-Radman, në kuadër të grupit MED9.
Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha ka theksuar se së bashku me mbi 40 vende dhe nën bashkëkryesimin e ministrave Tajani dhe Radman, diskutuan "nevojën urgjente për forcimin e koordinimit ndërkombëtar", sipas tij me qëllim mbrojtjen e zinxhirëve të furnizimit me plehra kimikë, garantimin e sigurisë ushqimore dhe parandalimin e një krize globale ushqimore.
"Sfida të tilla nuk mund të adresohen në izolim; ato kërkojnë një përgjigje politike të koordinuar, gjithëpërfshirëse dhe vizionare, të mbështetur mbi solidaritetin, qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm. Shqipëria mbështet lirinë e lundrimit, stabilitetin rajonal, rrugët tregtare të hapura dhe të sigurta, si edhe veprimin e koordinuar ndërkombëtar përmes platformave shumëpalëshe si MED9", është shprehur kryediplomati Hoxha.
Ministri Hoxha ka theksuar se mbeten të përkushtuar të bashkëpunojnë ngushtë me partnerët tanë, sipas tij, për të adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të forcuar qëndrueshmërinë kolektive në Mesdhe.
Italia ka nisur Koalicionin e Romës për Qasjen ndaj Plehrave Kimike dhe Sigurinë Ushqimore, së bashku me Kroacinë dhe rreth 40 vende e organizata ndërkombëtare, me synimin për të forcuar zinxhirët global të furnizimit me ushqim në kushtet e ndërprerjeve të lidhura me paqëndrueshmërinë rreth Ngushticës së Hormuzit.
MED9-a është një aleancë e disa shteteve anëtare të Mesdheut dhe të jugut të Bashkimit Evropian.























