Në Sarajevë filloi panairi i dytë ndërkombëtar i turizmit "Tourism Expo Sarajevo 2026", i cili deri më 24 tetor do të mbledhë në sallën "Mirza Delibashiq" në Skenderija më shumë se 200 përfaqësues të sektorit të turizmit nga tetë vende, në 96 hapësira ekspozimi, me takime biznesi, punëtori edukative dhe program kulturor.
Panairi paraqet mundësi për lidhjen e destinacioneve turistike, institucioneve, agjencive turistike, hoteleve dhe ofruesve të tjerë të shërbimeve, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e bashkëpunimeve të reja biznesore.
Në panair marrin pjesë ekspozues nga Bosnjë e Hercegovina, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Çekia, Sllovakia dhe Indonezia ndërsa qyteti i Ulqinit edhe këtë vit ka rolin e qytetit partner.
Vizitorëve do t'u prezantohen organizata turistike, hotele, agjenci, muze, qendra skijimi dhe kompani që ofrojnë pajisje dhe shërbime për sektorin HORECA, përmes një programi që ndërthur ekonominë turistike, kulturën, edukimin dhe promovimin e destinacioneve.
Gjatë tri ditëve të panairit do të trajtohen tema të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, përfshirë sfidat në fushën e fuqisë punëtore, markimin e destinacioneve, udhëtimet luksoze, zhvillimin e itinerareve tematike turistike, turizmin e qëndrueshëm dhe atë të mirëqenies si dhe risitë digjitale. Programi përfshin edhe prezantimin e përvojave dhe praktikave të mira nga Japonia.
Një segment i veçantë i panairit është "Tourism Expo Lab", i cili të shtunën, më 24 tetor, do të ofrojë punëtori praktike falas për punonjësit e turizmit, sipërmarrësit, guidat turistike dhe studentët.
Temat e punëtorive do ta përfshijnë zhvillimin e produkteve turistike, trashëgiminë kulturore, marketingun digjital dhe zbatimin e inteligjencës artificiale në turizëm.
Programi kulturor do të pasurohet më tej me shfaqjen e filmit turistik të Robert Daceshinit "Travnik - Zemra e BeH-së", programin "Sevdahu ndër kohë" në interpretimin e Fondacionit Sevdah dhe projektin "Zanatet e vjetra - Atelietë e gjalla të Sarajevës", kushtuar promovimit të zanateve tradicionale si pjesë e ofertës autentike turistike.
Vizitorët do të kenë në dispozicion edhe oferta të veçanta gjatë panairit. Agjencitë turistike do të prezantojnë paketa tërheqëse me çmime speciale të panairit, ndërsa organizatori ka përgatitur edhe 50 udhëtime shpërblyese, duke ofruar mundësi shtesë për të zbuluar destinacione të reja dhe për të planifikuar udhëtimet e ardhshme.
Organizator i panairit është agjencia "PROFI TEAM", në bashkëorganizim me Shoqatën për Nxitjen e Kulturës, Turizmit, Artit dhe Sportit "SPIRITUS" dhe Shoqatën SPORTKULT.






















