| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Nisma “Front Door” e NATO-s synon ta lehtësojë qasjen e industrisë turke të mbrojtjes në Aleancë
Ministria turke e Mbrojtjes ka përcaktuar hapat kryesorë të sigurisë dhe procedurat administrative që kompanitë turke duhet të ndjekin për të përfituar nga buxheti i përbashkët i NATO-s prej mbi 6 miliardë dollarësh.
Nisma “Front Door” e NATO-s synon ta lehtësojë qasjen e industrisë turke të mbrojtjes në Aleancë
Nisma “Front Door” e NATO-s synon ta lehtësojë qasjen e industrisë turke të mbrojtjes në Aleancë

Nisma e re e NATO-s, e quajtur “Front Door”, synon ta thjeshtojë bashkëpunimin ndërmjet kompanive të industrisë së mbrojtjes dhe institucioneve të Aleancës. Ajo mbështetet nga një fond i përbashkët prej rreth 5,3 miliardë eurosh (6,04 miliardë dollarë).

Mekanizmi “Front Door”, i prezantuar në Samitin e NATO-s në Ankara, është konceptuar si një pikë e vetme hyrëse, përmes së cilës kompanitë e mbrojtjes mund të kenë qasje në mundësitë e prokurimit dhe inovacionit të Aleancës.

Ministria turke e Mbrojtjes Kombëtare ka publikuar një udhëzues për procesin e prokurimit, për t’i ndihmuar kompanitë vendase të mbrojtjes të sigurojnë një pjesë të financimit të përbashkët të NATO-s.

Udhëzuesi i përshkruan hapat e nevojshëm për përmbushjen e kritereve specifike të Aleancës për prokurimin e mallrave dhe shërbimeve, si dhe kërkesat administrative përkatëse.

NATO-ja e përdor fondin e saj të përbashkët për të financuar nevoja të rëndësishme të përbashkëta, si pajisjet e komandimit dhe kontrollit, programet kompjuterike, projektet e ndërtimit dhe siguria kibernetike. Ndërkohë, vendet anëtare blejnë drejtpërdrejt platforma të mëdha, si avionët dhe anijet, dhe i vënë ato në dispozicion të operacioneve të Aleancës.

Buxheti i përbashkët që përfshihet në nismën e re do të përqendrohet gjithnjë e më shumë në sektorë me përparësi të lartë, si modernizimi i rrjeteve, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore, kriptografia dhe komunikimet satelitore.

Nisma “Front Door” synon t’u shërbejë kompanive të të gjitha madhësive, nga ndërmarrjet e mëdha të mbrojtjes deri te kompanitë e vogla të teknologjisë, duke funksionuar si një pikë e vetme digjitale për qasje dhe bashkëpunim.

Ajo synon t'i thjeshtojë procedurat e bashkëpunimit dhe ta zgjerojë rrjetin e furnizimit logjistik që mbështet si përforcimet ushtarake të NATO-s në krahun lindor, ashtu edhe Forcën e Reagimit të NATO-s, përfshirë Forcën e Përbashkët të Gatishmërisë Shumë të Lartë (VJTF).

Agjencia e NATO-s për Komunikim dhe Informacion (NCIA) i mbikëqyr proceset e prokurimit për kapacitetet e komandimit, kontrollit dhe inteligjencës, ndërsa Agjencia e NATO-s për Mbështetje dhe Prokurim (NSPA) i mbikëqyr çështjet civile dhe proceset logjistike.

NATO-ja i jep kontratat me vlerë më të ulët se 1,6 milion euro kompanisë që ofron çmimin më të ulët dhe njëkohësisht plotëson kërkesat teknike. Për projektet më komplekse, përdoret metoda e ofertës me vlerën më të mirë.

Nisma si Përshpejtuesi i Inovacionit të Mbrojtjes për Atlantikun e Veriut (DIANA) luajnë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e prokurimit të teknologjive të gjeneratës së ardhshme.

Udhëzuesi i Ministrisë turke të Mbrojtjes Kombëtare përcakton shtatë hapa që kompanitë turke duhet të ndjekin për të pasur sukses në tenderë.

Sipas udhëzuesit, kompanitë duhet të kenë një certifikatë të vlefshme sigurie të NATO-s për objektet e tyre, të regjistrohen pranë ministrisë, t'i ndjekin mundësitë e shpallura dhe të kërkojnë një deklaratë përshtatshmërie për projektin përkatës, në mënyrë që të marrin pjesë në tenderë.

Kompanitë duhet gjithashtu të sigurojnë leje sigurie pesëvjeçare për objektet dhe certifikata sigurie për personelin e angazhuar në projekt. Ato duhet të paraqesin oferta që i përmbushin kërkesat ushtarake, pa u mbështetur në inteligjencën artificiale gjenerative.

I gjithë cikli i këtyre projekteve të investimit kërkon respektim të rreptë të afateve, nga vlerësimi fillestar i nevojave dhe miratimet teknike deri te prodhimi, dorëzimi dhe auditimet financiare.

Kompanitë duhet të paraqesin kërkesë pranë Ministrisë së Jashtme të Türkiyes për vizita në selinë e NATO-s të paktën 15 ditë përpara datës së planifikuar.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë