Kosova do të përfshihet të mërkurën nga moti i paqëndrueshëm, me reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK).
Instituti bën të ditur se depërtimi i një mase ajrore më të freskët nga veriperëndimi do të sjellë ulje të temperaturave dhe reshje në disa zona, të cilat do të jenë në formë rrebeshesh dhe do të shoqërohen me shkarkime rrufesh.
Sipas IHMK-së, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13 dhe 16 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 23 deri në 26 gradë. Era do të fryjë nga veriperëndimi me intensitet të lehtë deri mesatar, me shpejtësi prej 3 deri në 9 metra në sekondë.
Për shkak të rrebesheve dhe shkarkimeve elektrike, qytetarëve u rekomandohet të tregohen të kujdesshëm, veçanërisht gjatë orëve të pasdites.




















