Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Besfort Lamallari, u shpreh sot se marrëveshja e nënshkruar me homologun e Maqedonisë së Veriut për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar synon lehtësimin e procedurave për qytetarët dhe bizneset, duke krijuar kushte më të favorshme për lëvizjen e personave dhe mallrave mes dy vendeve.
“Së bashku me homologun e Maqedonisë së Veriut kemi nënshkruar një marrëveshje për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e përbashkët të veprimtarive nga autoritetet e kontrollit kufitar. Kjo përcakton procedura më të lehtësuara si për udhëtarët, ashtu edhe për automjetet dhe kamionët që shkëmbejnë mallra mes dy vendeve tona”, u shpreh Lamallari.
Sipas ministrit Lamallari, marrëveshja përbën një kontribut të rëndësishëm jo vetëm në drejtim të thjeshtimit të procedurave kufitare, por edhe në forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Është një kontribut në kuptimin e procedurave të lehtësuara, por edhe për një ekonomi më të fortë mes dy vendeve tona, pasi përfitojnë bizneset e të dyj vendeve”, tha ai.
Lamallari bëri të ditur se deri në ratifikimin e marrëveshjes në parlamentet përkatëse, do të shfrytëzohet kjo periudhë si fazë testimi për zbatimin praktik të lehtësimeve të parashikuara.
“Ne do ta shfrytëzojmë periudhën deri në ratifikimin e marrëveshjes në parlamentet përkatëse, pasi ajo ende nuk është ratifikuar as nga parlamenti i vendit fqinj, si një periudhë testimi për t'i lehtësuar në praktikë kalimet e qytetarëve dhe mallrave përmes këtyre pikave kufitare që janë pjesë e marrëveshjes”, përfundoi Lamallari.




















