Zëvendëspresidenti i ShBA-së, JD Vance, tha të premten se Uashingtoni do të takohet me palën iraniane me “duar të hapura”, duke pritur që negociatat të jenë “pozitive”, ndërsa u nis nga Uashingtoni drejt Pakistanit, sipas një deklarate para nisjes.
Vance tha se delegacioni amerikan “pret me padurim negociatat” dhe shprehu shpresën se bisedimet do të sjellin një rezultat konstruktiv.
“Mendoj se do të jetë pozitive”, tha ai, duke theksuar se përparimi do të varet nga qasja e Iranit në tryezën e negociatave.
Vizita e Vance në Pakistan, e para nga një zëvendëspresident amerikan që nga viti 2011, vjen në një moment kur vëmendja globale është përqendruar te Pakistani, pasi ShBA-ja dhe Irani pritet të zhvillojnë bisedime të rralla të drejtpërdrejta në Islamabad duke nisur nga e shtuna, mes një armëpushimi të brishtë mes dy palëve.
Bisedimet pritet të fillojnë të shtunën, pasi Pakistani ndërmjetësoi të mërkurën një armëpushim dyjavor, 39 ditë pasi ShBA-ja dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit më 28 shkurt.
Islamabadi ftoi gjithashtu dy palët për bisedime, të cilat konsiderohen më të rëndësishmet që nga viti 1979, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit.
Teherani ka konfirmuar pjesëmarrjen, por ende nuk ka bërë të ditur se kush do ta përfaqësojë Iranin.
“Nëse iranianët janë të gatshëm të negociojnë me mirëbesim, ne jemi të gatshëm ta zgjasim dorën e hapur”, tha Vance.
“Nëse përpiqen të na mashtrojnë, do të shohin se ekipi negociator nuk do të jetë aq i hapur”, paralajmëroi ai.
“Rivendosja më e fuqishme në botë”
Vance shtoi se qëndrimi i ShBA-së udhëhiqet nga udhëzime të qarta nga Shtëpia e Bardhë. “Presidenti (Donald Trump)… na ka dhënë disa udhëzime shumë të qarta, dhe do të shohim si do të shkojë”, tha ai.
Menjëherë pasi avioni i Vance u nis, Trump shkroi në Truth Social: “Rivendosja më e fuqishme në botë!!!” pa dhënë shpjegime të mëtejshme.
Autoritetet pakistaneze kanë ndërmarrë masa të rrepta sigurie, duke mbyllur pjesë të kryeqytetit Islamabad për bisedimet që synojnë t’i japin fund konfliktit intensiv në Lindjen e Mesme, i cili ka shkaktuar mijëra viktima, ka dëmtuar infrastrukturën energjetike dhe ka sjellë ndërprerje të furnizimeve me naftë.
Megjithatë, sulmet e vazhdueshme izraelite në Liban që nga e mërkura, kur hyri në fuqi armëpushimi ShBA-Iran, kanë vrarë mbi 300 persona, duke nxitur dënime ndërkombëtare.
Sipas mediave iraniane, Teherani ka theksuar se ndalimi i sulmeve në Liban është kusht për pjesëmarrjen në bisedimet e fundjavës në Islamabad.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, u zotua të avancojë përpjekjet për paqe gjatë një bisede telefonike me homologun e tij libanez, Nawaf Salam, të enjten në mbrëmje.
Më shumë se 3.000 persona janë vrarë në Iran që nga 28 shkurti, përfshirë edhe liderin e atëhershëm suprem, Ali Khamenei.
Ofensiva e zgjeruar izraelite në Liban që nga 2 marsi ka lënë 1.888 të vrarë dhe 6.092 të plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit.














