“të gjitha kufizimet e drejtpërdrejta ose të tërthorta” ndaj industrisë së saj të mbrojtjes, njoftoi të enjten Ministria turke e Mbrojtjes Kombëtare, ndërsa vazhdojnë bisedimet me ShBA-në për dorëzimin e gjashtë avionëve luftarakë F-35 të prodhuar për Türkiyen.
“Siç kemi deklaruar edhe më parë, pritshmëria jonë është heqja e sanksioneve CAATSA, të cilat janë në kundërshtim me frymën e aleancës, si dhe e të gjitha kufizimeve të drejtpërdrejta ose të tërthorta ndaj industrisë sonë të mbrojtjes”, tha zëdhënësi i ministrisë, Zeki Aktürk, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas konferencës javore për media.
Ai iu referua ligjit amerikan të njohur si Akti për Kundërshtimin e Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA).
Ministria bëri të ditur se kontaktet me zyrtarët amerikanë vazhdojnë, duke shprehur shpresën se procesi do të përfundojë pozitivisht, në përputhje me marrëdhëniet aleate dhe interesat e ndërsjella të dy vendeve.
Kontributi i mundshëm ushtarak i Türkiyes në Arabinë Saudite
Aktürk deklaroi se çdo kontribut ushtarak i Türkiyes në Arabinë Saudite, në kuadër të Aleancës së re të Mbrojtjes së Mekës, do të përcaktohet në përputhje me Kushtetutën turke dhe legjislacionin përkatës.
Ai tha se marrëveshja, e nënshkruar në gusht të këtij viti ndërmjet Türkiyes, Arabisë Saudite dhe Pakistanit, duhet të miratohet nga Parlamenti turk dhe të përfundojnë procedurat e nevojshme të autorizimit për dërgimin e personelit të Forcave të Armatosura Turke jashtë vendit.
Sipas tij, shkalla e kontributit të mundshëm do të përcaktohet në bazë të nevojave dhe kërkesave të Arabisë Saudite, zhvillimeve në terren dhe kërkesave operacionale, pas vlerësimeve nga autoritetet përkatëse dhe arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet palëve.
Türkiye pritet të marrë dy avionët e parë C-130J nga Mbretëria e Bashkuar në dhjetor
Ministria njoftoi se 12 avionët C-130J, të blerë nga Mbretëria e Bashkuar, do të forcojnë kapacitetet e transportit ajror të Forcave të Armatosura Turke.
Sipas ministrisë, punimet e mirëmbajtjes dhe modifikimit po kryhen nga prodhuesi në Mbretërinë e Bashkuar, nën mbikëqyrjen e personelit të autorizuar të Forcave Ajrore Turke.
Trajnimi i pilotëve, ekuipazheve të fluturimit, personelit të mirëmbajtjes dhe inxhinierëve pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2026, ndërsa dy avionët e parë janë planifikuar të dorëzohen në dhjetor.
“Aktivitetet e fluturimit, mirëmbajtjes dhe riparimit do të kryhen me mjetet dhe kapacitetet tona”, tha ministria.
Türkiye ia dorëzon Italisë komandën e KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja
Aktürk deklaroi se Türkiye vazhdon të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin e një rajoni të gjerë përmes misioneve ndërkombëtare të Forcave të Armatosura Turke dhe bashkëpunimit dypalësh.
Ai shtoi se Türkiye ia dorëzoi të enjten Italisë komandën e Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), pas përfundimit të mandatit të saj të dytë në krye të misionit, i cili kishte nisur në tetor të vitit të kaluar.
“Ashtu si në të kaluarën, Türkiye do të vazhdojë të japë kontribute të rëndësishme dhe vendimtare për KFOR-in, si dhe për NATO-n dhe sigurinë e rajonit euroatlantik”, tha ai.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të mbajë një qëndrim më të vendosur ndaj Izraelit”
Aktürk deklaroi se Izraeli vazhdon të kryejë sulme dhe të bëjë deklarata provokuese që kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit.
“Ritheksojmë edhe një herë se komuniteti ndërkombëtar duhet të mbajë një qëndrim më të vendosur ndaj Izraelit”, tha ai, duke kërkuar ndalimin e sulmeve dhe parandalimin e vuajtjeve të mëtejshme të palestinezëve.
Aktürk dënoi gjithashtu sulmet e grupit Huthi ndaj aeroportit kryesor në Riad të Arabisë Saudite, të cilat shkaktuan viktima dhe të plagosur.
Ai theksoi se sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe rrezikojnë të përshkallëzojnë më tej tensionet rajonale.




























