Qeveria franceze hulumtoi mënyra për ta bllokuar aksesin në mediet sociale dhe internetin celular në zona të veçanta gjatë protestave të së shtunës së kaluar për ta parandaluar koordinimin e protestuesve, thuhet sot në një raport mediatik.
Në javën para 24 tetorit, Ministria e Brendshme kontaktoi operatorët e telekomit për t'i eksploruar mënyrat e ndërprerjes së aksesit në rrjetet sociale apo edhe në internetin celular në zona të veçanta për të parandaluar "trazirat" të koordinohen, raportoi "Politico", duke cituar një zyrtar qeveritar dhe një punonjës të një kompanie telekomi.
Diskutimet arritën kulmin kur kryeministri Sebastien Lecornu u kërkoi drejtpërdrejt operatorëve francezë të telekomit që të përgatiteshin për ta bllokuar aksesin në disa platforma të mediave sociale, përfshirë kompaninë amerikane të medieve sociale X, në një letër të zbuluar nga gazeta dixhitale franceze Blast, e cila së pari raportoi për kërkesën e qeverisë.
Raporti vuri në dukje se zyrtarët nga zyra e kryeministrit Lecornu, Ministria e Teknologjisë dhe Ministria e Brendshme nuk e mohuan as lëvizjen dhe as ekzistencën e letrës. “Ajo që ata donin, mbi të gjitha, ishte bllokimi i kanaleve të komunikimit që lejojnë bandat të takohen dhe të organizohen”, tha një punonjës i një ofruesi telekomunikacioni i cili foli në kushte anonimiteti.
Qeveria konsideroi opsion tjetër që do të çaktivizonte veçoritë e ndarjes së vendndodhjes "për t'i parandaluar grumbullimet e njerëzve që nuk e njohin njëri-tjetrin, për shembull", sipas zyrtarit nga zyra e kryeministrit. Ministria e Brendshme tha të dielën se autoritetet arrestuan mbi 1.300 persona gjatë demonstratave mbarëkombëtare të shtunën ndërsa 53 personel sigurie u plagosën.
Sipas ministrisë, 410 mijë njerëz morën pjesë në demonstratat e së shtunës në gjithë Francën, përfshirë 110 mijë në Paris. Sindikatat, megjithatë, vlerësuan pjesëmarrjen mbarëkombëtare në gati 800 mijë, me 250 mijë protestues në kryeqytet.
Ministria tha se 24 biznese u grabitën gjatë demonstratave, krahasuar me 1.522 një javë më parë, që përfaqëson një rënie prej më shumë se 98 për qind.























