Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, hodhi poshtë akuzat e Beogradit se Kroacia po ndërhyn në procesin zgjedhor në Serbi, duke i cilësuar ato si qesharake dhe të pakuptimta. Ai theksoi se mediat kroate janë të lira të raportojnë për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Plenkoviq, para një samiti të BE-së sot në Bruksel, komentoi notën e protestës që Serbia i dërgoi Kroacisë për shkak të përmendjes së shpeshtë të Vuçiqit në mediat kroate. Ai vlerësoi se bëhet fjalë për një përpjekje për ta paraqitur Kroacinë si armike që ndërhyn në çështjet e brendshme politike të Serbisë.
“Duhet të pranoj se jam mjaft i befasuar nga një notë e tillë, pasi nuk e kam të qartë se kujt i është drejtuar. Mendoj se sërish bëhet fjalë për një lloj manipulimi që duhet të mbështesë tezën se Kroacia, si një armike gjysmë e jashtme e gjysmë e brendshme, po ndërhyn në procesin politik dhe në garën zgjedhore në Serbi, gjë që është krejtësisht e pakuptimtë. Kjo tezë promovohet prej kohësh”, tha Plenkoviq.
Ai theksoi se mediat në Kroaci janë të lira të raportojnë për temat që i konsiderojnë me rëndësi, duke shtuar se Kroacia nuk ndërhyn në fushatën zgjedhore në Serbi.
“Në vendin tonë mediet janë të lira dhe shkruajnë çfarë të duan. Serbia e ka fushatën e vet zgjedhore dhe le të merren me veten, le të merren me qytetarët e tyre. Kroacia nuk ndërhyn në këtë proces dhe kjo nuk është çështja jonë. Ka çështje që lidhen me vlerat, për të cilat Serbia duhet të përparojë, në vend që të na dërgojë nota”, tha kryeministri kroat.
Plenkoviq shtoi se nuk konsideron që raportimi i mediave kroate për Vuçiqin të ketë qenë veçanërisht problematik dhe hodhi poshtë mundësinë që Kroacia të ndikojë në çfarëdo mënyre në përmbajtjen e publikimeve të tyre.
“Nuk duhet t’i kushtojmë shumë rëndësi kësaj. Po përpiqem të kuptoj se çfarë kemi bërë ne, ndërsa nëse ata mendojnë se ne u diktojmë mediave kroate se çfarë të shkruajnë, ndonëse nuk kam vërejtur asgjë veçanërisht problematike, ky është problemi i tyre. Të them të drejtën, kjo më duket paksa qesharake”, përfundoi Plenkoviq.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë i dërgoi dje një notë proteste Kroacisë, për shkak të asaj që, sipas medieve serbe, përbën ndërhyrjen më të rëndë në procesin zgjedhor në Serbi si dhe për shkak të raportimit gjithnjë e më të shpeshtë e të njëanshëm mbi situatën e brendshme politike në atë vend.



















