Çrregullimi i ritmit të zemrës i 34-vjeçares Elmedina Baygora, e cila jeton në Kosovë dhe prej rreth 20 vitesh vuante nga probleme shëndetësore, është trajtuar me sukses përmes një procedure ablacioni, të kryer me ndihmën e hartëzimit tridimensional në Spitalin Bilkent të Ankarasë.
Baygora ishte vizituar dhe diagnostikuar me sëmundje të ndryshme për shkak të problemeve shëndetësore që kishin nisur rreth 20 vite më parë. Fillimisht ishte diagnostikuar me sulme paniku, më pas me epilepsi dhe depresion, ndërsa shkaku i vërtetë i shqetësimeve të saj mbeti i paidentifikuar për një kohë të gjatë.
Duke përjetuar gjithashtu humbje të vetëdijes, lodhje dhe probleme me gjumin, Baygora iu drejtua Spitalit të Bilkentit në Ankara për trajtim, pasi mjekët zbuluan një vrimë në zemër dhe çrregullim të ritmit kardiak.
Duke folur për Anadolu pas ndërhyrjes së kryer në spital, Elmedina Baygora tha se ndihej shumë mirë.
“Punova me një ekip shumë të mirë. Edhe pse është vetëm dita e parë pas ndërhyrjes, ndihem sikur kam rilindur. Zemra ime është shumë mirë dhe ndihem shumë mirë në të gjithë trupin. Më parë nuk mund të flija, ndërsa për herë të parë bëra një gjumë të qetë”, u shpreh Baygora.
Çrregullimi i ritmit të zemrës u trajtua përmes hartëzimit tridimensional
Prof. Dr. Fırat Özcan, pjesë e ekipit të Klinikës së Aritmisë në Spitalin Bilkent, tha se pacientja ishte paraqitur në spital në kuadër të turizmit shëndetësor, pasi ishte diagnostikuar me rrahje të shpejta të zemrës dhe çrregullim të ritmit kardiak.
Özcan shpjegoi se në Kosovë ishte vlerësuar se pacientja kishte nevojë për një ndërhyrje komplekse dhe, për shkak të mungesës së kapaciteteve të nevojshme, ishte referuar për trajtim në Ankara.
Ai theksoi se pas ekzaminimeve dhe vlerësimeve mjekësore ishte planifikuar procesi i trajtimit.
“Ndërhyrja u krye me ndihmën e hartëzimit tridimensional. Nuk ishte një procedurë e lehtë, por ia dolëm me sukses. Pacientja u ndje më mirë pas operacionit dhe simptomat e saj u lehtësuan”, tha Özcan.
Duke tërhequr vëmendjen se disa çrregullime të ritmit të zemrës mund të jenë mjaft komplekse, Özcan shpjegoi se në raste të tilla krijohet një hartë tredimensionale e zemrës për të identifikuar zonën që shkakton çrregullimin.
Ai sqaroi se në zonën e identifikuar ndërhyhet përmes një procedure të quajtur ablacion, gjatë së cilës indi përgjegjës për ritmin jonormal shkatërrohet me anë të energjisë termike.
“Përmes kësaj ndërhyrjeje synojmë të parandalojmë zhvillimin e insuficiencës kardiake në të ardhmen dhe përkeqësimin e cilësisë së jetës së pacientit”, tha ai.
Spitali pranon pacientë edhe nga jashtë vendit
Duke theksuar se Spitali i Bilkentit ka kapacitetet e nevojshme për të realizuar ndërhyrje që kërkojnë teknologji të avancuar dhe ekspertizë të specializuar, Özcan tha se aty kryhen trajtime komplekse në fusha të ndryshme, veçanërisht në trajtimin e aritmive.
Sipas tij, pacientë nga Ballkani dhe Lindja e Mesme i drejtohen spitalit në kuadër të turizmit shëndetësor.
Özcan theksoi se procedura e ablacionit nuk zbatohet te të gjithë pacientët me çrregullime të ritmit të zemrës, pasi vendimi për trajtimin merret në varësi të karakteristikave të aritmisë.
Prof. Dr. Fırat Özcan bëri të ditur gjithashtu se Spitali i Bilkentit, i cili renditet i pari për nga numri i procedurave të kryera për trajtimin e aritmisë, ka realizuar gjithsej 3.400 ndërhyrje gjatë vitit të fundit, prej të cilave 2.263 procedura ablacioni dhe 1.137 ndërhyrje që lidhen me pajisje kardiake.
Duke theksuar se suksesi nuk matet vetëm me numrin e ndërhyrjeve, Özcan u shpreh:
“Duke ndërthurur përvojën tonë klinike mbi 20-vjeçare me një frymë të fortë pune në ekip, përpiqemi t'u ofrojmë pacientëve tanë shërbimin më të mirë. Spitali i Bilkentit në Ankara është një qendër ekselence për trajtimin e aritmive, falë përvojës klinike, punës në ekip, si dhe aktiviteteve shkencore dhe arsimore”.



















