Policia e Shqipërisë njoftoi se gjatë tubimit të 14 tetorit në Tiranë janë arrestuar 55 shtetas dhe proceduar penalisht 98 të tjerë. Ndërkoh, si pasojë e këtyre protestave janë lënduar 51 punonjës policie.
Në njoftimin e Policisë thuhet se këta shtetas ushtruan dhunë ndaj punonjësve të Policisë, dëmtuan institucione shtetërore, pronë publike dhe private, si dhe shkatërruan bankomate, kamera, automjete dhe rrethime metalike.
“Gjatë tubimit të zhvilluar më datë 14 tetor, përpara ministrisë së Arsimit, në rrugën e Durrësit dhe më pas në zona të tjera, dhjetëra pjesëmarrës të maskuar kanë ushtruar akte dhune, duke hedhur gurë, pllaka guri, sende të forta metalike, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore, subjekteve private dhe ambienteve publike”, thonë nga Policia.
Protesta e thirrur nga studentët filloi me 13 shtator para ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Disa nga problematikat me të cilat studentët kanë pretenduar se përballen lidhen me kushtet në arsim, investimet e pamjaftueshme, kostot e larta të qirave, mungesën e konvikteve dhe kurrikulat që, sipas tyre, kanë mbetur të vjetruara.
Gjithashtu, një pjesë e studentëve kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Studentët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim.
























