Zyrtarë të Ministrive të Jashtme të Rusisë dhe Iranit këtë javë zhvilluan konsultime dyditore në Moskë, ku diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, si dhe zhvillimet në Kaukazin Jugor, Azinë Qendrore dhe Ukrainë.
Bisedimet u zhvilluan më 21 dhe 22 korrik, menjëherë pas një përshkallëzimi të ri në Lindjen e Mesme, ku tensionet janë rritur pas shkëmbimeve të fundit ushtarake mes Iranit, ShBA-së dhe Izraelit, si dhe përpjekjeve të mëvonshme diplomatike nga aktorë rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Shërbimi diplomatik njoftoi se ndihmës ministri iranian i Punëve të Jashtme dhe drejtori i përgjithshëm për Euroazinë, Mojtaba Moradi, u prit nga zv/ministri rus i Punëve të Jashtme, Mikhail Galuzin dhe zhvilloi gjithashtu konsultime me zyrtarë të disa departamenteve rajonale të Ministrisë së Jashtme të Rusisë.
Sipas ministrisë ruse, të dyja palët rikonfirmuan angazhimin e tyre për zgjerimin e bashkëpunimit në përputhje me Traktatin për Partneritetin Gjithëpërfshirës Strategjik të nënshkruar mes Rusisë dhe Iranit.
Zyrtarët gjithashtu shkëmbyen pikëpamje për situatën në Kaukazin Jugor, Azinë Qendrore dhe rreth Ukrainës, thuhet në njoftim, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Konsultimet u zhvilluan në një kohë kur Moska ka rritur angazhimin diplomatik në disa fronte.
Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Llavrov, pritet të takohet nesër me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, ndërsa bisedimet pritet t'i përfshijnë marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet e sigurisë ndërkombëtare.
Rusia ka ruajtur marrëdhënie të afërta me Iranin gjatë përballjes mes Teheranit, Uashingtonit dhe Izraelit, ndërsa njëkohësisht është paraqitur si një ndërmjetës i mundshëm dhe ka bërë thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët.






















