Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës kundërshtoi kërkesën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi për lirim të përkohshëm nga burgu.
Sipas kryeprokurores amerikane, Kimberly West, Thaçi duhet të mbetet në paraburgim.
"Përparimi i vazhdueshëm dhe i shpejtë i këtij procesi gjyqësor, përfshirë afatin kohor për çdo mocion përfundimtar lidhur me provat, gjithashtu mbështet vazhdimin e paraburgimit të Thaçit", thotë Prokuroria.
Gjithashtu, prokurorja amerikane e përmendi rrezikun për kryerjen e veprave të tjera penale dhe ndërhyrjen në procedura.
"Konstatimet e vazhdueshme mbi ekzistencën e rreziqeve, sipas nenit 41(6)(b), që i atribuohen Thaçit në këtë çështje, mbeten të vlefshme. Ato janë bërë mbi bazën e një numri të madh faktorësh të arsyetuar dhe të individualizuar, dhe asnjë kusht i mundshëm për lirimin e tij nuk mund t'i zbusë ato në mënyrë të mjaftueshme", thuhet në kundërshtimin e Prokurorisë Speciale.
Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi së fundmi kërkoi nga Gjykata Speciale në Hagë lirimin e tij me kusht. Në kërkesë thuhej se ish-presidenti Thaçi nuk paraqet rrezik të arratisjes dhe se ai ka ofruar garanci financiare 50 mijë euro për ta siguruar lirimin e tij.
Përveç garancisë prej 50 mijë eurosh, në kërkese u theksua se Thaçi s’do të largohet nga territori i Kosovës, dhe se ai, do ta dorëzojë pasaportën dhe çdo dokument tjetër udhëtimi.
Ndryshe, aktgjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është caktuar të shpallet më 16 shtator.





















