Nën drejtimin e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, është mbajtur sot mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, disa ditë pas shkarkimit të ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (ShISh), Vlora Hyseni.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar është mbajtur për të diskutuar çështjet e aktualitetit dhe impaktin që ato kanë mbi veprimtarinë e institucioneve të sigurisë.
Gjithashtu thuhet se këshilli diskutoi për situatën dhe masat që duhet të merren nga institucionet për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, bashkëpunimin me partnerët dhe aleatët dhe forcimin e besimit të publikut.
"Në takim u konkludua se për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes: sigurisë së Republikës së Shqipërisë. Çdo mosbesim institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional. Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë", thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në mbledhje përveç anëtarëve që përcakton ligji, ishin të ftuar edhe përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor, i cili mbështet Presidentin e Republikës së Shqipërisë në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive kushtetuese e ligjore.
Çështja mbi ish-drejtuesen e ShISh-it, Vlora Hyseni
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e Shqipërisë (SPAK) konfirmoi zyrtarisht se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar ka vendosur ndaj Hysenit më datë 21 shtator masat "arrest në shtëpi" dhe "pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik".
Sipas SPAK-ut, Hyseni është e dyshuar për veprat penale "Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete" dhe "Përkrahje e autorit të krimit".
Pas këtyre zhvillimeve presidenti Begaj vendosi shkarkimin nga detyra të Hysenit. Raportohet se hetimet lidhen me implikimet për personat e tjerë të hetuar më parë për dosjen e njohur si "Çështja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit".
Më 24 shtator GjKKO-ja e vendosi vazhdimin e masës "arrest në shtëpi" ndaj Hysenit.
Vlora Hyseni ishte emëruar në krye të ShISh-it në prill të vitit 2023. Ajo ka mbajtur post drejtues edhe në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.























