| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Türkiye mirëpret pranimin e statusit të vëzhguesit në Konferencën Ibero-Amerikane
Vendimi pritet të zyrtarizohet në samitin e 4-5 nëntorit në Madrid, ku Türkiye do të marrë pjesë si vëzhguese e asociuar.
Türkiye mirëpret pranimin e statusit të vëzhguesit në Konferencën Ibero-Amerikane
Türkiye mirëpret pranimin e statusit të vëzhguesit në Konferencën Ibero-Amerikane

Türkiye të hënën mirëpriti pranimin e saj si vëzhguese e asociuar në Konferencën Ibero-Amerikane.

“Mirëpresim pranimin e kërkesës së Türkiyes për t’u bërë Vëzhguese e Asociuar në Konferencën Ibero-Amerikane në Takimin e Ministrave të Jashtëm Ibero-Amerikanë, të mbajtur gjatë Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”, tha Ministria e Jashtme në një deklaratë.

Ministria falënderoi të gjitha shtetet anëtare, veçanërisht Spanjën, e cila aktualisht e kryeson konferencën, si dhe Sekretariatin Ibero-Amerikan, për kontributet e tyre.

Türkiye do të marrë pjesë si vëzhguese e asociuar në Samitin e 30-të të Konferencës Ibero-Amerikane, që do të mbahet më 4-5 nëntor në Madrid të Spanjës, thuhet në deklaratë.

Ministria shtoi se Türkiye do të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin me anëtarët e konferencës në kuadër të politikës së saj shumëdimensionale ndaj Amerikës Latine dhe Karaibeve.

Sipas burimeve diplomatike turke, vendimi pritet të zyrtarizohet gjatë samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive në nëntor.

Türkiye paraqiti zyrtarisht kërkesën e saj më 3 korrik përmes një letre të ministrit të Jashtëm, Hakan Fidan, drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm Ibero-Amerikan Andres Allamand.

Ky status pritet ta ndihmojë Türkiyen të thellojë dialogun politik me vendet anëtare dhe ta zgjerojë bashkëpunimin në tregti, kulturë dhe zhvillim.

Edhe Angola dhe India morën miratimin për kërkesat e tyre për statusin e vëzhguesit të asociuar në takimin e ministrave të Jashtëm.

Konferenca Ibero-Amerikane

E themeluar përmes samiteve të mbajtura në Guadalajara të Meksikës në vitin 1991 dhe në Madrid në vitin 1992, Konferenca Ibero-Amerikane bashkon 22 vende nga Amerika Latine dhe Gadishulli Iberik. Sekretariati i saj i Përgjithshëm ndodhet në Madrid.

Konferenca u mundëson vendeve joanëtare të marrin pjesë si vëzhguese të asociuara dhe organizatave ndërkombëtare si vëzhguese konsultative.

Vende të tjera që kanë statusin e vëzhguesit të asociuar janë Belgjika, Franca, Gjermania, Haiti, Hungaria, Italia, Japonia, Luksemburgu, Maroku, Holanda, Filipinet dhe Koreja e Jugut.

Vëzhguesit e asociuar mund të marrin pjesë në samitet e krerëve të shteteve dhe qeverive, takimet ministrore sektoriale, si dhe takimet e ministrave të Jashtëm, koordinatorëve kombëtarë dhe zyrtarëve të bashkëpunimit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë