Bashkimi Evropian (BE) në trevjetorin e sulmit në Banjskë në Komunën e Zveçanit ka rikujtuar se ky ka qenë një kërcënim serioz i sigurisë në rajon dhe ka kërkuar nga Serbia që të veprojë menjëherë për t'i nxjerrë para drejtësisë kryerësit e këtij sulmi.
Një zëdhënës i BE-së nëpërmjet një përgjigje për mediat në Kosovë ka përsëritur se Serbia nuk i ka ndërmarrë akoma hapat e nevojshëm për t'i nxjerrë para drejtësisë ata që gjenden në territorin e saj.
Po ashtu, ky zëdhënës ka thënë se kjo çështje ishte ngritur edhe në takimin që Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka pasur në Nju Jork me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
"Para tri vitesh, sulmi në Banjskë, më 24 shtator 2023, i kryer nga sulmues serbë të Kosovës, të armatosur, ndaj Policisë së Kosovës, kërcënoi seriozisht sigurinë në rajon. Ky sulm i tmerrshëm mori jetën e një polici dhe la dy të tjerë të plagosur. BE-ja në vazhdimësi ka kërkuar që përgjegjësit për këtë të japin llogari dhe shpreh keqardhje se deri më sot Serbia akoma nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të ndjekur ata që janë në Serbi me aktakuzat përkatëse", thuhet në përgjigjen e zëdhënësit.
Ai ka thënë se BE-ja pret që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanaleve të vendoura të asistencës së ndërsjellë.
"Çështja është në pritje për kohë të gjatë dhe duhet menjëherë të ndiqet nga Serbia. Përfaqësuesja e Lartë e ka ngritur këtë çështje edhe me presidentin Vuçiq gjatë takimit të tyre në Nju Jork", shtoi ai.
Sulmi në Banjskë ndodhi më 24 shtator 2023, kur një grup i armatosur sulmoi policinë e Kosovës, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku, ndërsa në përleshjet që pasuan u vranë edhe tre sulmues.























