Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, ka zhvilluar një takim pune me homologun e tij kosovar, Dimal Basha, ku në fokus ishin avancimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, zhvillimi rajonal, si dhe realizimi i projekteve të përbashkëta infrastrukturore.
Siç njofton Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në takim morën pjesë edhe zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, si dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Koce Trajanovski.
Bashkëbiseduesit vlerësuan se marrëdhëniet dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë të mira dhe karakterizohen nga bashkëpunimi konstruktiv, ndërsa theksuan rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të tyre përmes projekteve konkrete me interes të përbashkët.
Një nga temat kryesore të takimit ishte projekti për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, i cili konsiderohet “një projekt i rëndësishëm për lidhjen infrastrukturore mes dy vendeve dhe rritjen e mobilitetit rajonal”.
Sipas palëve, projekti është në vazhdim dhe grupi i përbashkët i punës nga të dyja vendet po bashkëpunon për avancimin e tij.
Gjatë takimit u ra dakord që grupi i punës të vijojë aktivitetet për finalizimin e projektit, pas së cilës pritet të pasojë nënshkrimi i marrëveshjeve ndërshtetërore për zbatimin e tij.
Nikolloski gjithashtu theksoi se Maqedonia e Veriut ka nisur ndërtimin e segmentit të autostradës Shkup-Bllacë, duke e cilësuar atë si një lidhje të rëndësishme të transportit mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Sipas tij, kjo lidhje do të kontribuojë në transport më të shpejtë dhe më të sigurt, forcimin e lidhjeve ekonomike dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkufitar.
Në takim u diskutua edhe rikthimi i komunikacionit hekurudhor mes dy vendeve, si dhe vendosja e konceptit “one stop shop”, përkatësisht krijimi i një stacioni të përbashkët hekurudhor kufitar, në përputhje me marrëveshjen ekzistuese mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Palët i kushtuan vëmendje të veçantë edhe bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, duke theksuar nevojën për krijimin e kushteve më të mira për lidhjen e bizneseve dhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve mes dy vendeve.
Bashkëbiseduesit vlerësuan se realizimi i projekteve të përbashkëta infrastrukturore është me rëndësi jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, por edhe për rajonin në tërësi.
Në takim gjithashtu konfirmua angazhimi i përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin intensiv dhe për të ndërmarrë hapa konkretë drejt realizimit të projekteve me interes të përbashkët për të dy vendet.




















