| Albanian
KULTURË
2 minuta leximi
Turkish Airlines u ndan çmime fituesve të konkursit ndërshkollor të pikturës në Maqedoninë e Veriut
Nxënësve, që arritën sukses në konkurs, iu dhanë dhurata të ndryshme, përfshirë 10 bileta avioni për qytetin që dëshirojnë në Türkiye.
Turkish Airlines u ndan çmime fituesve të konkursit ndërshkollor të pikturës në Maqedoninë e Veriut
Turkish Airlines u ndan çmime fituesve të konkursit ndërshkollor të pikturës në Maqedoninë e Veriut / AA

Fituesit e konkursit të pikturës me temën "Krahët e Türkiyes përqafojnë botën", të organizuar ndërmjet shkollave në Maqedoninë e Veriut nga Turkish Airlines (THY), morën çmimet e tyre.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, të mbajtur në zyrën e THY-së në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, drejtoresha e THY-së në Shkup, Ulker Sule Aksoy, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, anëtarë të jurisë së konkursit, mësues, nxënës dhe familjarë.

Ambasadori Ulusoy, në fjalën e tij këtu, tha se THY është një nga kompanitë ajrore më të rëndësishme në botë dhe se aktiviteti tregon rëndësinë që THY i kushton kulturës dhe artit. Ai theksoi se THY është kompani bartëse e flamurit, duke thënë: "Për sa kohë që ndiqni ëndrrat tuaja, suksesi do të jetë gjithmonë me ju".

- "Lidhja më e fortë që na bashkon nuk janë avionët tanë, por imagjinata dhe arti i këtyre të rinjve"

Aksoy tha se falë këtij aktiviteti kanë dëshmuar se sa të mëdha mund të jenë ëndrrat e fëmijëve.

Duke theksuar se si THY fluturojnë çdo ditë në katër anët e botës, ajo tha: "Ne lidhim qytete dhe vende me njëri-tjetrin. Por, sot e kuptojmë se lidhja më e fortë që na bashkon nuk janë avionët tanë, por imagjinata dhe arti i këtyre të rinjve".

Aksoy informoi se në këtë konkurs, të cilin e organizojnë për herë të tretë këtë vit, kanë aplikuar më shumë se një mijë pjesëmarrës.

- Nxënësve fitues iu dhanë 10 bileta avioni për qytetin që dëshirojnë në Türkiye.

Në kuadër të aktivitetit, nxënësve nga shkolla të ndryshme fillore dhe të mesme në vend, të cilët morën pjesë dhe arritën sukses në konkurs, iu dhanë dhurata të ndryshme, përfshirë 10 bileta avioni për qytetin që dëshirojnë në Türkiye.

Në konkurs, në kategorinë për persona me dëmtim të shikimit vendin e parë e fitoi Dzan Islami, në kategorinë nën 10 vjeç Ana Savova, ndërsa në kategorinë mbi 10 vjeç Nela Apostolovska. Çmimi i jurisë iu nda Despina Maksimovskës.