Ish-presidentja Vjosa Osmani, mandati i së cilës përfundo javën e kaluar, ka thënë se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nuk e mbështeti atë edhe për një mandat si Presidente e Republikës së Kosovës.
Osmani e cila foli për herë të parë në një emision televiziv që ku i skadoi mandati i Presidentes së Republikës së Kosovës, tha se Kurti në dhjetor dhe janar ishte zotuar për dhënien e përkrahjes nga Lëvizja Vetëvendosje për edhe një mandat të saj si presidente, ndërsa më pas ndryshoi gjithçka.
“Dikur në dhjetor dhe janar Kurti më ka thënë se e kam mbështetjen e tij, dhe më pas gjithçka ka ndryshuar. Në asnjë moment nuk ka pasur hezitim për kandidaturën time”, ka thënë ajo.
Osmani tha se kryeministri Kurti e kishte vlerësuar për përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit dhe për të ishte befasi qëndrimi i Kurtit që e do një President që nuk merret me politikë të jashtme.
“Unë kam marrë vetëm vlerësime të larta për përfaqësimin jashtë vendit, për mua ka qenë befasuese qëndrimi i tij i fundit që e do një President që nuk merret me politikë të jashtme”, ka thënë ajo.
Osmani tha se për pesë vite Kosovën arritën ta vendosin në piedestalet më të larta të përfaqësimit ndërkombëtar, “të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare dhe ta përfaqësojë vendin si në Samitin e NATO-s ende pa qenë Kosova anëtare”.
Po ashtu “ta bëjnë Kosovën pjesë të Bordit të Paqes së themeluar nga Trump”.
Osmani tha se qëllimi i punës së saj si presidente ka qenë “që ta përfaqësojë denjësisht çdo qytetar të Republikës së Kosovës dhe t’i japin zë qytetarëve në platformat që kurrë nuk kanë pasur zë më herët”.
“Çka e them me bindje të plotë është që gjithnjë ka qenë qëllimi i mirë, që të mbrohet interesi qytetar dhe i shtetit tonë”, tha Osmani.
Vjosa Osmanit i skadoi mandati i presidentes më 4 prill dhe pozitën e saj po e ushtron Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Gjykata Kushtetuese ka dhënë afat që presidenti të zgjidhet deri më 28 prill, në të kundërt vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.



















