| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Dita Ndërkombëtare e Romëve: Kryeparlamentari Gashi thekson rolin e komunitetit si pjesë e shoqërisë
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi theksoi barazinë e komunitetit rom në një ngjarje të organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve.
Dita Ndërkombëtare e Romëve: Kryeparlamentari Gashi thekson rolin e komunitetit si pjesë e shoqërisë
Dita Ndërkombëtare e Romëve: Kryeparlamentari Gashi thekson rolin e komunitetit si pjesë e shoqërisë / TRT Balkan
11 orë më parë

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, mbajti fjalim me rastin e Ditën Ndërkombëtare të Romëve, duke theksuar rolin e komunitetit rom si pjesë integrale e shoqërisë, me të njëjtat të drejta dhe dinjitet si çdo qytetar tjetër.

Në fjalën e tij në Kuvend në një ngjarje me temë “Nga padukshmëria drejt barazisë” të organizuar me rastin e kësaj dite, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Hristijan Mickoski, deputetë përfaqësues të misioneve dhe pjesëtarë të komunitetit rom, Gashi tha se pavarësisht përparimeve ligjore dhe politike, shumë qytetarë romë përballen ende me pengesa në arsim, punësim dhe shërbime bazë.

Sipas tij, tema e sotme, “Nga padukshmëria drejt barazisë”, synon të nxjerrë në pah mungesën e mundësive reale dhe përfaqësimit të përshtatshëm për romët, duke e lidhur këtë me përgjegjësinë kolektive të shoqërisë dhe institucioneve.

“Prandaj ne kemi nevojë për një qasje më të koordinuar, më të qëndrueshme dhe më të guximshme, e cila e kombinon bashkëpunimin ndërinstitucional, vullnetin politik, angazhimin qytetar, përgjegjshmërinë mediatike dhe mbi të gjitha, e vendos si paradigmë dinjitetin dhe barazinë reale të çdo qytetari, pa përjashtim”, tha kryeparlamentari.

Gashi theksoi rolin e Kuvendit dhe grupit ndërpartiak për të drejtat e romëve, si dhe përkushtimin personal për të mbrojtur të drejtat dhe aspiratat e komunitetit rom, edhe pse nuk ka deputet rom në përbërjen parlamentare.

Kryeparlamentari bëri thirrje për përfshirjen aktive të ekzekutivit, medias dhe shoqërisë civile në promovimin e debatit konstruktiv, identifikimin e sfidave dhe ngritjen e mundësive për arsim, punësim dhe përfaqësim të romëve.

Ai përfundoi fjalimin duke iu drejtuar drejtpërdrejt romëve, duke i inkurajuar të mos shikojnë veten vetëm si përfitues të politikave, por si ndërtues të tyre, duke theksuar se pjesëmarrja aktive është çelësi për një shoqëri më të drejtë dhe institucione më të forta.

“Institucionet janë të detyruara t’i hapin dyert, por po aq e rëndësishme është që ato dyer të shfrytëzohen me guxim, me besim dhe me këmbëngulje. Përfshirja e vërtetë fillon atëherë kur secili e sheh veten si pjesë aktive të shoqërisë e jo si spektator të saj”, the Gashi.

Në fund, Gashi uroi që diskutimet e Ditës Ndërkombëtare të Romëve të çojnë drejt avancimit të politikave, përfaqësimit më të madh dhe vetëdijesimit të shoqërisë.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë