Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, njoftoi të martën pezullimin dyjavor të veprimeve ushtarake kundër Iranit, pas bisedimeve me liderët pakistanezë.
Trump tha se pas bisedave me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, dhe shefin e ushtrisë, Asim Munir, ai pranoi të ndalë sulmet e planifikuara, me kusht që Irani të rihapë Ngushticën e Hormuzit “plotësisht, menjëherë dhe në mënyrë të sigurt”.
“Pranoj të pezulloj bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë dyjavore. Ky do të jetë një armëpushim dypalësh!”, shkroi ai në platformën Truth Social.
Ai theksoi se objektivat ushtarake të ShBA-së tashmë janë arritur dhe se kjo pauzë dyjavore do t’u japë mundësi palëve të përfundojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Sharif u bëri thirrje palëve në konflikt që të respektojnë një armëpushim dyjavor “për t’i dhënë mundësi diplomacisë të arrijë përfundimin e luftës”, në një postim në platformën X.
Trump tha se ShBA-ja ka marrë një propozim me 10 pika nga Irani dhe “beson se është një bazë e zbatueshme për negociata”.
“Pothuajse të gjitha pikat e mëparshme të mosmarrëveshjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë dakorduar, por periudha dyjavore do të mundësojë finalizimin e marrëveshjes”, shtoi ai.
Bisedimet pritet të nisin në Islamabad të premten
Sharif njoftoi se ShBA-ja dhe Irani, së bashku me aleatët e tyre, kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm në të gjitha zonat e konfliktit, përfshirë edhe Libanin.
“Me përulësinë më të madhe, kam kënaqësinë të njoftoj se Republika Islamike e Iranit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me aleatët e tyre, kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm kudo, përfshirë Libanin dhe zona të tjera, me efekt të menjëhershëm”, tha ai.
Sharif ftoi delegacionet e ShBA-së dhe Iranit në Islamabad të premten “për të negociuar më tej dhe për të arritur një marrëveshje përfundimtare për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve”.
“Të dyja palët kanë treguar mençuri dhe mirëkuptim të jashtëzakonshëm dhe kanë mbetur të angazhuara në mënyrë konstruktive për paqe dhe stabilitet. Shpresojmë sinqerisht që ‘Bisedimet e Islamabadit’ të sjellin paqe të qëndrueshme”, shtoi ai.
Sipas raportimeve, në bisedime mund të marrin pjesë i dërguari special amerikan Steve Witkoff, dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, dhe zëvendëspresidenti JD Vance.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se ka diskutime për takime ballë për ballë, por asgjë nuk është përfundimtare derisa të konfirmohet zyrtarisht.
Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave, sulmet ushtarake amerikane ndaj Iranit janë ndalur në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit dyjavor.
I gjithë rajoni ka qenë në gjendje alarmi që kur Izraeli dhe ShBA-ja nisën një ofensivë disajavore kundër Iranit më 28 shkurt.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa ndaj Izraelit, Jordanisë, Irakut dhe vendeve të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima, dëme në infrastrukturë dhe duke tronditur tregjet globale dhe aviacionin.
Ndërkohë, zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi se Izraeli mbështet vendimin e Trump për pezullimin e sulmeve për dy javë, me kusht që Irani të hapë menjëherë ngushticat dhe të ndalë të gjitha sulmet ndaj ShBA-së, Izraelit dhe vendeve të rajonit.
Megjithatë, sipas kësaj zyre, armëpushimi dyjavor “nuk përfshin Libanin”.















