Kombëtarja e Kosovës në hendboll për femra do ta sfidojë të enjten mbrëma Francën, një nga fuqitë më të mëdha të hendbollit në botë. Ndeshja do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, në orën 20:15.
Përfaqësuesja franceze konsiderohet si një nga superfuqitë e padiskutueshme në këtë sport. Lista e sukseseve të skuadrës franceze përfshin titujt e kampiones së botës në vitet 2003, 2017 dhe 2023, si dhe disa medalje të tjera të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.
Franca ka rrëmbyer medalje edhe në Lojërat Olimpike në tri edicionet e fundit: të argjendtën në Rio 2016, të artën në Tokio 2020 dhe sërish të argjendtën në Paris 2024. Ndërkohë, në Kampionatin Evropian, titullin e parë e fituan në vitin 2018, ndërsa në edicionet pasuese kanë arritur rezultate të larta, përfshirë finalen e vitit 2020 dhe gjysmëfinalet në 2022 dhe 2024.
Në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2026, francezët kanë dominuar grupin duke fituar katër ndeshjet e para dhe tashmë kanë siguruar kualifikimin, çka i bën ato favorite absolute në përballjen ndaj Kosovës.
Megjithatë, Kombëtarja e Kosovës synon një paraqitje sa më dinjitoze para publikut vendas, me synimin për të dhënë maksimumin përballë një kundërshtari të nivelit më të lartë botëror.




















