Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar marrëveshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar.
Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar", u votua në seancën e sotme pa diskutime, me 76 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.
Sipas autoriteteve shqiptare, ngritja e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ka për qëllim lehtësimin dhe thjeshtimin e procedurave e të masave në lidhje me verifikimin kufitar dhe menaxhimin e trafikut ndërkufitar ndërmjet dy vendeve.
Gjithashtu, thuhet se objektivat që synohen të arrihen me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje lidhen me përmirësimin e kuadrit ligjor për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet dy vendeve dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor e të verifikimit kufitar.
Përparësitë e miratimit të këtij projektligji lidhen gjithashtu me lehtësimin dhe thjeshtimin e procedurave e të masave në lidhje me verifikimin kufitar dhe menaxhimin e trafikut ndërkufitar ndërmjet dy vendeve, sipas autoriteteve, duke rritur eficiencën e kontrollit kufitar.
Ligji i mirataur sot duhet të ratifikohet nga presidenti Bajram Begaj dhe sipas autoriteteve ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
Ndërkaq, seanca e sotme u përfshi nga tensionet, pasi deputetët e partisë opozitare, Partisë Demokratike, kërkuan diskutime për protestat e fundit, ndërkohë bllokuan foltoren, mblodhën karriget mbi tavolina dhe debatuan dhe u përplasën fizikisht edhe me deputetët e Partisë Socialiste dhe punonjësit e Gardës së Shqipërisë.
Pas tensioneve, kryeparlamentari Niko Peleshi kaloi në votimin e projektligjeve, pa diskutimet e planifikuara.





















