| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Kryediplomati saudit dhe shefi i Aleancës së Mbrojtjes së Mekës diskutojnë bashkëpunimin në mbrojtje
Takimi u mbajt dy ditë pasi kryediplomati turk Fidan, deklaroi se Türkiye do të mirëpriste anëtarë të rinj pasi të vendosej struktura institucionale e aleancës, me kusht që ata të synojnë paqen në rajon.
Kryediplomati saudit dhe shefi i Aleancës së Mbrojtjes së Mekës diskutojnë bashkëpunimin në mbrojtje
Kryediplomati saudit dhe shefi i Aleancës së Mbrojtjes së Mekës diskutojnë bashkëpunimin në mbrojtje/ AA / َAA

Ministri i Punëve të Jashtme i Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan dhe sekretari i përgjithshëm i Aleancës së Mbrojtjes së Mekës, Nauman Mahmood, kanë diskutuar zhvillimin institucional të aleancës dhe përpjekjet për forcimin e koordinimit në fushën e mbrojtjes mes shteteve anëtare.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, bisedimet u zhvilluan në kryeqytetin saudit Riad.

"Në takim u shqyrtuan përpjekjet në kuadër të zhvillimit institucional të Sekretariatit të Përgjithshëm të Aleancës së Mbrojtjes së Mekës, si dhe përpjekjet e tij për zhvillimin e mekanizmave të koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve anëtare, në mënyrë që të forcohet sistemi i tyre i përbashkët i mbrojtjes", njoftoi ministria në rrjetin social amerikan X.

Takimi u mbajt dy ditë pasi ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, deklaroi se Türkiye do të mirëpriste anëtarë të rinj pasi të vendosej struktura institucionale e aleancës, me kusht që ata të synojnë paqen në rajon dhe të respektojnë të drejtën ndërkombëtare.

Aleanca e Mbrojtjes së Mekës u themelua në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, princi i kurorës saudite, Mohammed bin Salman dhe kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, më 7 gusht në Mekë.

Marrëveshja synon forcimin e parandalimit dhe mbrojtjes kolektive, si dhe përcakton se një sulm i armatosur ndaj cilitdo prej tri vendeve do të konsiderohet sulm ndaj të triave.

Në një takim të jashtëzakonshëm të mbajtur në Riad më 5 tetor, të tri vendet ranë dakord të fillojnë zbatimin e menjëhershëm të angazhimeve të tyre për mbrojtje kolektive dhe emëruan gjeneral-lejtënantin pakistanez në pension, Nauman Mahmood, si sekretarin e parë të përgjithshëm të aleancës për një mandat 3-vjeçar.

Në fillim të këtij muaji, parlamenti i Türkiyes miratoi legjislacionin që mundëson ratifikimin e marrëveshjes.