Një hetim i publikuar të mërkurën vonë nga transmetuesi publik izraelit KAN pretendon se kryeministri Benjamin Netanyahu dhe partia e tij Likud kanë hartuar një plan para zgjedhjeve për t’i akuzuar qytetarët arabë të Izraelit për manipulimin e rezultateve zgjedhore.
Zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 27 tetor ndërsa blloku i Netanyahut fitoi 53 nga 120 ulëset, krahasuar me 48 të bllokut opozitar të udhëhequr nga Gadi Eisenkot dhe 19 të partive arabe.
Eisenkot siguroi mbështetjen e më shumë deputetëve se Netanyahu dhe më 8 nëntor iu besua formimi i qeverisë së re. Sipas hetimit, plani ishte përgatitur në mënyrë të organizuar, duke filluar nga zyra e Netanyahut dhe duke u shtrirë deri te mijëra përfaqësues të Likudit të angazhuar në qendrat e votimit.
Në hetim thuhet se partia ishte përgatitur për një humbje të mundshme në zgjedhje duke nisur, disa javë para votimit, një fushatë që synonte t’i bënte votuesit arabë përgjegjës për një rezultat të tillë.
Dalja në votime e votuesve arabë arriti në 80 për qind ndërsa pjesëmarrja e përgjithshme ishte 77,7 për qind, niveli më i lartë që nga viti 1999, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Arabët përbëjnë 21 për qind të popullsisë së Izraelit, e cila numëron më shumë se 10 milionë banorë, thuhet në raportim.
Hetimi shtoi se fushata me sloganin “Arabët i vodhën zgjedhjet” nuk ishte e para që kishte në shënjestër qytetarët arabë të Izraelit. Sipas tij, Likud kishte paraqitur rreth 1.280 ankesa ditën e zgjedhjeve, duke pretenduar se votuesve arabë u ishin ofruar para dhe kuponë për blerje në këmbim të votave të tyre.
Hetimi paraqiti dëshmi të banorëve të thirrur për t’u marrë në pyetje në qytetin jugor Rahat, në rajonin e Negevit, nën dyshimet për ndikim në zgjedhje dhe shpërndarje parash. Njëri prej personave të marrë në pyetje ka thënë se policia e kishte pyetur pse dëshironte të votonte për Listën e Bashkuar Arabe, duke shtuar se zyrtarët i kishin thënë se dyshohej për shpërndarje parash te votuesit.
Ai ka mohuar të ketë pasur dijeni për ndonjë nga akuzat. Pretendimet për blerje votash dhe manipulim të zgjedhjeve shkaktuan polemika politike dhe ligjore në Izrael ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk njoftoi për ndonjë provë të parregullsive që do të kishin ndikuar në rezultatet përfundimtare.
Sipas raportimeve izraelite, zyra e Netanyahut ka hedhur poshtë pretendimet se zyrtarët e saj janë përfshirë në organizimin e kësaj çështjeje.
Netanyahu po përballet me gjykim për akuza për korrupsion, të cilat mund të rezultojnë me burgim nëse shpallet fajtor. Që nga viti 2024, ai gjithashtu është në kërkim nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për t’u paraqitur lidhur me akuza për krime lufte në Rripin e Gazës që nga viti 2023.





















