| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Qindra kolonë izraelitë bastisin varrin e Jusufit në Nablus nën mbrojtjen e ushtrisë
Forcat izraelite u zhvendosën në të gjithë pjesën lindore të Nablusit, zunë pozicione në çatitë e shtëpive palestineze dhe bllokuan rrugët për të siguruar hyrjen e kolonëve.
Qindra kolonë izraelitë bastisin varrin e Jusufit në Nablus nën mbrojtjen e ushtrisë
Qindra kolonë izraelitë bastisin varrin e Jusufit në Nablus nën mbrojtjen e ushtrisë / TRT Balkan AL

Qindra kolonë izraelitë bastisën sot herët varrin e Jusufit në qytetin e Nablusit, në Bregun Perëndimor të pushtuar, për të kryer rite fetare hebraike, nën mbrojtjen e forcave izraelite të dislokuara në zonë, të cilat bllokuan disa rrugë.

Burime lokale thanë për Anadolu se forcat izraelite, të shoqëruara nga një buldozer ushtarak, bastisën pjesën lindore të Nablusit për të siguruar hyrjen e kolonëve në këtë vend. Ushtarët u pozicionuan përreth varrit si dhe përgjatë rrugëve dhe kalimeve që të çojnë drejt tij.

Sipas burimeve, forcat izraelite zunë pozicione në çatitë e disa shtëpive palestineze dhe i shndërruan disa prej tyre në kazerma ushtarake. Gjithashtu, ato mbyllën rrugët dhe kryqëzimet kryesore, duke penguar lëvizjen e palestinezëve në këtë zonë.

Qindra kolonë hynë në këtë vend nën mbrojtjen e ushtrisë dhe kryen rite fetare që zgjatën disa orë, shtuan burimet. Varri i profrtit Jusuf ndodhet në periferinë lindore të Nablusit dhe vizitohet shpesh nga kolonët izraelitë nën mbrojtjen e ushtrisë për të kryer rite fetare.

Kolonët izraelitë pretendojnë se në këtë vend ndodhen eshtrat e personazhit biblik Jusuf, të cilat janë sjellë nga Egjipti dhe janë varrosur aty. Megjithatë, burimet palestineze dhe arkeologët e kanë kundërshtuar këtë pretendim, duke theksuar se ndërtesa është vetëm disa shekuj e vjetër dhe se aty ndodhet varri i një figure fetare myslimane me emrin Jusuf Dweikat.

Pavarësisht se ndodhet nën administrimin palestinez, varri bastiset rregullisht nga kolonët izraelitë të shoqëruar nga forcat e ushtrisë, shpesh gjatë orëve të natës.

Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite dhe kolonët kanë intensifikuar sulmet në të gjithë Bregun Perëndimor, duke vrarë më shumë se 1.220 palestinezë, plagosur rreth 13.746 të tjerë dhe duke arrestuar mbi 26 mijë persona, sipas të dhënave palestineze.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë