Presidenti i ShBA-së, Donald Trump po shqyrton raund të ri sulmesh ushtarake kundër Iranit për shkak të presionit nga Izraeli, raportoi të mërkurën "The New York Times", duke cituar zyrtarë.
Trump ende nuk ka marrë një vendim, por ai po peshon nëse do të rifillojë operacionet ushtarake pasi Izraeli paralajmëroi se Irani ka bërë përparim në rindërtimin e aftësive të tij të raketave dhe dronëve. Raporti tha se mosmarrëveshjet po rriten brenda administratës së Trumpit mbi besueshmërinë e inteligjencës dhe nëse një sulm tjetër ndaj Iranit është i justifikuar.
Mosmarrëveshjet vijnë pasi votuesit shprehën zhgënjim në zgjedhjet e mesmandatit për një luftë që ka rritur çmimet pa ofruar fitoren e shpejtë që Trump premtoi gati tetë muaj më parë. Pavarësisht këtyre shqetësimeve, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po ushtron presion mbi ShBA-në që t‘i bashkohet Izraelit në një fushatë sulmesh ajrore katër deri në shtatë-ditore kundër Iranit, tha raporti.
Netanyahu është i etur të sigurojë mbështetjen amerikane, megjithëse zyrtarët izraelitë kanë mohuar se ai po i bën presion Trumpit.
Bisedimet midis dy vendeve u intensifikuan javën e kaluar. Shefi i Mosadit, Roman Gofman u takua me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe ndërsa udhëheqës të tjerë të inteligjencës dhe ushtrisë izraelite gjithashtu bënë thirrje për veprime të reja kundër Iranit, sipas raportit.
Trump ka dërguar sinjale të përziera në lidhje me rifillimin e konfliktit. Herë pas here, ai ka pohuar se lufta ka mbaruar ndërsa herë të tjera, ai ka sugjeruar se veprime të mëtejshme ushtarake mund të jenë të nevojshme për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.





















